Aeroporti përmbyll një vit mjaft të suksesshëm
Prishtinë, 26 dhjetor - Një sërë zhvillimesh të reja e kanë shoqëruar gjatë vitit që lamë pas ANP “Adem Jashari” i cili ka thyer rekord sa i përket numrit të udhëtarëve të procesuar.
Nga 35 kompani ajrore që kanë operuar përgjatë vitit 2017 në ANP “Adem Jashari”/ Limak Kosovo, janë shërbyer mbi 30 destinacione të ndryshme anekënd botës.
Për herë të parë në historinë e aeroportit pritet të arrihet shifra prej afro 1.9 milion udhëtarëve duke thyer kështu rekordin e vitit të kaluar.
Në krahasim me vitin 2016, ky numër është rritur për rreth 9 përqind, përderisa numri i fluturimeve ka arritur në rreth 15000, apo 5 përqind më shumë nga viti paraprak.
Duke qenë i fokusuar veçanërisht në nxitjen e kompanive ajrore që operojnë me kosto të ulët, ANP “Adem Jashari” që nga Prilli ka ofruar fluturime për në Budapest me dy frekuenca në javë të shërbyera nga kompania ajrore Wizzair, për të vazhduar me fluturime të reja direkte për në Londër me fillim të sezonës verore.
Fluturime të reja gjatë sezonës verore ka shërbyer edhe Norwegian Air e cila ka operuar linjën direkte Helsinki-Prishtinë-Helsinki dhe poashtu linjën Goteburg-Prishtinë-Goteburg. Në anën tjetër viti 2017 është karakterizuar edhe me pranimin e 8 çmimeve ndërkombëtare.
Përveç rritjes së numrit të udhëtarëve dhe fluturimeve gjatë vitit që po e lëmë pas, Limak ka vazhduar me projektet e shumëta të përgjegjësisë korporative ndaj shoqërisë.
Pas certifikimit në nivelin e parë të programit për Akreditimin e Karbonit në Aeroporte gjatë vitit të kaluar, ANP “Adem Jashari” ka implementuar programe menaxhuese që kanë ndikuar në uljen e nivelit të karbonit për 12% dhe në këtë mënyrë është certifikuar në nivelin e dytë të këtij programi, +2 Reduktimi.
Njëra ndër prioritet e kompanisë mbetet avancimi në nivelet më të larta të këtij programi për të ndikuar pozitivisht në mbrojtjen e ambientit.
Risi tjetër në rritjen e kualitetit të shërbimeve ka pasur edhe me rastin e lansimit të konceptit të ri “Airport Helper” i cili nënkupton gatishmërinë e stafit të aeroprtit që t’u ofroj ndihmë udhëtarëve jashtë detyrave primare të tyre.
“Falenderojmë të gjithë udhëtarët që kanë zgjedhur shërbimet tona dhe vazhdojmë të punojmë në ofrimin e kushteve sa më të favorshme ndaj kompanive ajrore për të operuar në ANP ‘Adem Jashari’.”