Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës fiton 4 çmime
Prishtinë, 16 gusht - Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ është shpallur fitues në katër kategori të Best Business Awards 2017.
Kategorit e Best Business Awards 2017 janë Komunikimi më i mirë, Fokusi më i mirë drejt klientëve, Përgjegjësia korporative ndaj shoqërisë dhe Biznesi më i mirë i madh.
Përmirësimi i të gjitha shërbimeve të ofruara, ndërtimi i infrastukturës moderne të IT, qasja e përgjegjshme ndaj klientëve dhe komunitetit përreth, si dhe rritja e konsiderueshme e biznesit kanë qenë disa nga arritjet kryesore që janë vlerësuar nga juria e Best Business Awards.
“Pas privatizimit dhe transformimit të tij, ANP “Adem Jashari” ka arritur të veçohet si një nga aeroportet me rritjen me të shpejtë në botë. Aeroporti i ri është ndërtuar duke përdorur teknologjinë e re të mençur dhe duke u mundësuar punëtoreve të tij që adaptohen në botën e re komerciale” – është thënë me këtë rast në njoftimin e Best Business Awards.
Ndërsa, pas pranimit të këtyre çmimeve drejtori gjeneral i Limak Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Haldun Firat Kokturk deklaroi: “ Çmimet e Best Business janë disa nga çmimet më prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar. Për shkak të profilit të lartë të këtyre çmimeve, kziston një numër i madh i aplikimeve prandaj jemi të kënaqur që kemi arritur të dëshmohemi si të sukseshëm në punën tonë”.
Këto çmime e rrisin numrin e çmimeve të fituara nga Aeroporti i Prishtinës për këtë vit në nëntë, pas pranimit të dy çmimeve nga Communitas Awards dhe tri të tjerave nga International Business ‘Stevie’ Awards duke përfshirë çmimin Kompania e Vitit në transport që iu nda muajin e kaluar.
Best Business Awards kanë në përbërjen e tyre të vlerësimit një panel prej 20 ekspertëve të pavarur të cilët e bëjnë përzgjedhjen e fituesve në bazë të kritereve strikte për çdo kategori dhe sektor.