Aeroporti i Tiranës rritjen më të lartë në Europë
Tiranë, 24 shkurt - Vitin e kaluar, TIA u shërbeu 1,394,688 pasagjerëve duke regjistruar në këtë mënyrë dhe njëherë një performancë të shkëlqyer për një nga infrastrukturat më të mira në vend. Aeroporti gjithashtu ka shënuar 20,064 lëvizje të trafikut ajror (ATM) dhe ka përpunuar 1,711 tonë mallra.
Duke i krahasuar me vitin e kaluar këto shifra tregojnë një rritje prej 10.1 përqind në pasagjerë dhe një rritje prej 4.5 përqind të ATM-ve, ndërkohë që transporti i mallrave ka regjistruar një zbritje prej 13 përqind. Me këto të dhëna, TIA për vitin 2009 është cilësuar si një prej aeroporteve me rritjen më të madhe në Europë.
Rritja që Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka treguar gjatë vitit të kaluar është dëshmi e fortë e meritave tona. Edhe në kohë krize kemi shënuar rritje mjaft të dukshme. Ne jemi shumë krenarë për vazhdimësinë e sukseseve tona. Duke patur parasysh zgjerimin e tregut të biznesit të udhëtimit në Shqipëri, TIA parashikon mundësi edhe më të mëdha rritjeje, së bashku me partnerët tanë linjat ajrore, tha Znj Andrea Gebbeken, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s.
Gjatë vitit 2009 linjat ajrore të cilat kanë shënuar fluksin më të madh të pasagjerëve gjatë vitit 2008 janë: Belleair (42.8%), Alitalia (13.4%), Albanian Airlines (8.9%), Austrian Airlines (5.9%) dhe Turkish Airlines (5.6%). Sot në TIA operojnë dymbëdhjetë linja ajrore të cilat e lidhin kryeqytetin me 33 destinacione të ndryshme duke përfshirë këtu Zyrihun, Liezhën dhe Shtutgartin, të cilat u përuruan gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Vendimi i linjave ajrore për të shtuar numrin e destinacioneve bazohet mbi rritjen mbresëlënëse që ka patur aeroporti në numër pasagjerësh dy vitet e fundit.
TIA ka treguar seriozitet në lidhje me përkushtimin e saj kundrejt pasagjerëve, linjave ajrore dhe klientëve duke u ofruar atyre përherë standardet më të larta. Çdo ditë Aeroporti përpiqet të ofrojë një shërbim gjithnjë e më cilësor, dhe ai vazhdimisht përpiqet për të ofruar një mjedis të qetë dhe sigurtë për pasagjerët dhe klientët e tij. Kompania ofron një mjedis pune të standardeve të larta për linjat ajrore të cilat operojnë në të.