Aeroporti i Gjakovës kalon nën menaxhim të institucioneve të Kosovës
Prishtinë, 18 dhjetor - Nga sot, Aeroporti Ushtarak i Gjakovës, i menaxhuar nga Kontingjenti i Aeronautikës Ushtarake Italiane, kalon nën menaxhimin e institucioneve kosovare.
Që nga 23 dhjetori i viti 1999, kur është formuar Aeroporti Ushtarak në Gjakovë e deri më 18 dhjetor 2013, ky aeroport është menaxhuar nga Kontingjenti i Aeronautikës Ushtarake Italiane, i quajtur AMIKO.
Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve qeveritare (qendrore dhe lokale) dhe të përfaqësuesve të KFOR-it Italian, në një ceremoni zyrtare është bërë transferimi i këtij aeroporti tek institucionet kosovare, respektivisht tek Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila është nënshkruese e pranimit zyrtar të aeroportit.
Aeroporti është transferuar tek pala kosovare me të gjitha pajisjet që kanë qenë në dispozicion deri më tani, prandaj ky aeroport tashmë është edhe një aset me vlerë për Kosovën.
Finalizimi i transferimit të aeroportit ushtarak në Gjakovë në aeroport civil, nën menaxhim dhe pronësi të institucioneve të Kosovës, është tregues i qartë përkrahjes së Qeverisë italiane për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Marrëdhëniet e Kosovës me Italinë janë të mira edhe në fushën e ekonomiko-tregtare. Italia është partneri më madh i Kosovës për eksporte. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 Kosova ka eksportuar në Itali mallra me vlerë prej rreth 40 milionë euro, më shumë eksporte se në çdo vend tjetër.