Adria Airways parashehë t'i punësoj edhe 20 punëtorë të rinj
Prishtinë, 1 mars - Sot ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti për vizitë ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Jozhef Hlep, të cilin e shoqëronin edhe përfaqësuesit e menaxhmentit të aviokompanisë së njohur sllovene Adria Airways në krye me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë, Robert Vuga.
Në fillim të takimit ambasadori Hlep ia uroi ministrit Mujota postin e ri dhe shprehu besimin se do të kenë një bashkëpunim të suksesshëm gjatë gjithë mandatit. Ministri Mujota, ndërkaq, pasi e falënderoi ambasadorin slloven për urimet, shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin dhe tha se ky është një rast i mire për thellimin e këtij bashkëpunimi me ambasadorin, por edhe me shtetin slloven, duke premtuar se ai do ti ofrojë të gjitha mundësitë për zhvillimin sa më të suksesshëm të këtij bashkëpunimi.
Ministri slloven Hlep këtë takim e cilësoi si shumë të rëndësishëm edhe për faktin se me të janë anëtarët e menaxhmentit të lartë të aviokompanisë Adria Airways, të cilët kanë ardhur që ta informojnë ministrin nga dora e parë për planet e kësaj kompanie në Kosovë.
Drejtoi gjeneral i kompanisë Adria Airways, Robert Vuga, e njoftoi ministrin Mujota për bashkëpunimin në fushën e operimeve të kompanisë Adria Airways me Prishtinën, për çarsye është themeluar edhe kompania Adria Airways Kosova.
Synim i kompanisë është zgjerimi i programit të operimeve, si dhe bashkëpunimi me Ministrinë në këtë fushë, me qëllim që pasagjerëve kosovarë tu ofrohen standarde të larta shërbimesh.
Vuga tha se për këtë qëllim në shërbimet e kësaj kompanie në Kosovë është punësuar staf vendor, ndërsa parashihet që të punësohen edhe njëzet punëtorë të rinj, të cilët do të trajnohen për punën e tyre të ardhshme.
Duke bërë fjalë për planet e kompanisë për këtë vit, ai tha se nga Prishtina do të mbahen vija të rregullta me shumë qendra evropiane, nga të cilat veçoi Cyrihun, si një destinacion i rëndësishëm për pasagjerët kosovarë.
Ministri Mujota shfaqi kënaqësinë për zgjerimin e bashkëpunimit dhe tha se do të bëhen të gjithë përpjekjet për krijimin e kushteve sa më të favorshme dhe sa më cilësore për pasagjerët tanë. Ai e cilësoi planin e prezantuar si shumë inkurajues dhe të realizueshëm, andaj tha se kuadrot profesionale të departamenteve përkatëse do të angazhohen maksimalisht për një nismë sa më të suksesshme për realizimin e tij.
Në fund ministri Mujota i falënderoi mysafirët sllovenë duke premtuar përkrahjen e plotë për zgjerimin e bashkëpunimit dhe për realizimin e planeve perspektive.