06 Maj 2024

ACP Axos Capital GmbH blerës i 75% të PTK-së

Hamburg, 18 prill - Konsorciumi ACP Axos Capital GmbH, i këshilluar nga British Telecom (BT), është shpallur fitues i procesit të privatizimit të 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës sh.a. të realizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Rezultatet e procesit të tenderimit u shpallën të premten nga Komisioni Qeveritar për Privatizim i Kosovës.

“Si pjesë të ofertës tonë ne kemi dorëzuar edhe një plan gjithëpërfshirës për PTK-në, e cila do të evoluojë në një biznes konkurrues të orientuar nga tregu, duke investuar në teknologji dhe mbi të gjitha në punonjësit që janë fuqia kryesore dhe potenciali kryesor për rritje i kësaj kompanie.\"

\"Ne jemi të përkushtuar që të ofrojmë trajnime mbi teknologjitë më të avancuara, që të zhvillojmë shkathtësitë dhe të përmirësojmë performansën, të cilat do të sjellin kënaqshmëri më të theksuar me vendet e punës dhe do të ofrojnë mundësi për avancim të mëtejmë,” tha Drejtori Menaxhues i ACP Axos Capital, Jan Budden.

“Për më tepër, ekzistojnë plane për ofrimin e shërbimeve online, të cilat do të përbëjnë mundësi të reja punësimi për mijëra qytetarë të Kosovës, në formë të qendrave të thirrjes për përkrahje teknike për kompanitë evropiane. Me këtë plan biznesi, konsorciumi është i sigurt se do të përkrahë rritjen dhe zhvillimin e PTK-së dhe tregun e telekomunikacioneve dhe teknologjisë në Kosovë, për ta bërë Kosovën një anëtar të mirëfilltë të shoqërisë globale të komunikimit.”

“Për konsumatorët e PTK-së, ne planifikojmë ta shtojmë gamën e produkteve dhe të shtojmë cilësinë e të gjitha produkteve të ofruara. Plani jonë përcakton qartë rrugën që PTK do të ndjekë për ta lidhur Kosovën me shoqëritë informative globale dhe për t’i ofruar popullatës dhe bizneseve të Kosovës një perspektivë joshëse për të ardhmen. Ne kemi siguruar partneritete me Telecommunications plc. dhe Telecom Italia (“TI”), përmes të cilave do të përkrahim rrjetin, teknologjinë, produktet, zgjidhjet dhe stafin e PTK-së gjatë tranzicionit në të ardhmen.”

PTK ka një biznes të suksesshëm të cilin Konsocriumi do ta përpunojë edhe më tej për të siguruar të ardhmen e Telekomit si operator i pavarur dhe i papërkrahur nga jashtë. Për këtë arsye, në planet e Konsorciumit prioritet i jepet mbajtjes së selisë kryesore të PTK-së në Prishtinë dhe ruajtjes së statusit korporativ të saj.

Të gjitha funksionet bazike afariste dhe operative do vazhdojnë të udhëhiqen nga Kosova. Roli i BT dhe partnerëve tjerë strategjik nuk do të bazohet në zhvendosjen e funksioneve apo shërbimeve të rëndësishme tek BT po TI.

Të gjitha funksionet bazike do të mbeten brenda PTK-së. Bashkëpunimi me partnerë strategjikë do të fokusohet në përkrahje operative dhe teknologjike përmes transferimit të shkathtësive dhe ekspertizës nga partnerët strategjikë tek Telekomi i Kosovës.

“Ne besojmë fuqishëm se më së miri do t’i shërbejmë shtetit të Kosovës përmes këtij vizioni tonë gjithëpërfshirës mbi telekomunikacionin e së ardhmes. Ekipi jonë menaxhues do të sigurojë drejtim adekuat dhe përvoja të duhura, standarde të larta të punës dhe përkushtim për ekselencë, vullnet të fuqishëm për të investuar kapital shtesë për rritjen e tregjeve të reja dhe zotim për të qenë një punëdhënës i ndershëm, i përgjegjshëm dhe shembullor dhe një ‘bashkëqytetar’ i popullit të Kosovës.

Axos Capital dhe partnerët e vet janë investitorë në sferën e teknologjisë në SHBA dhe Evropë. Ata kanë bërë investime substanciale dhe të suksesshme në një numër të madh të kompanive në fushën e telekomunikacionit, mediave dhe teknologjisë informative.

Kompetencat dhe aftësitë e menaxhmentit të këtyre firma do të shërbejnë si shembull për menaxhimin e Telekomit të Kosovës, përmes implementimit të praktikave më të mira dhe shfrytëzimit të teknologjive të fundit, për të siguruar afarizmin më efikas të mundshëm.

Konsorciumi i Axos Capital këshillohet nga British Telecom (BT). BT është organizata më jetëgjatë në fushën e komunikacionit, me mbi 100 vjet përvojë, dhe është sipërmarrja e parë komerciale e telekomunikacionit në Evropë.

Sot, shumë prej bizneseve më të mëdha të botës varen nga shërbimet dhe zgjidhjet që i ofron BT e që janë të rëndësisë kyçe për to. Gjashtëdhjetë për qind të kompanive të ranguara në Fortune 500 shfrytëzojnë rrjetet dhe shërbimet e BT-së në 100 vende anembanë botës.

Një e katërta e tregtarëve financiarë të botës i shfrytëzojnë shërbimet e tyre për tregtim në 51 shtete të botës.

Ajo u ofron shërbime të rrjetëzimit global përmes teknologjisë informative 10,000 organizatave shumëkombëshe anembanë botës dhe për 25,000 organizata me më shumë se një pikë funksionimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Konsorciumi i ofron Republikës së Kosovës dhe menaxhmentit të Telekomit një partner me aftësi unike, mes të cilave përfshihen:

·    Aftësia unike për të siguruar kod shtetëror ndërkombëtar për Kosovën
·    Siguria për punonjësit
·    Investimet afatgjata dhe stabile
·    Përvoja e gjatë në industrinë e telekomunikacioneve
·    Qasja unike globale në produkte dhe zgjidhje të telekomit
·    Qasja në përvojë strategjike, operacionale dhe teknike
·    Kompetenca për të stimuluar mbi 1000 vende të reja të punës në Kosovë, përmes partnerëve të saj ndërkombëtarë
·    Resurset e fuqishme financiare për të përkrahur investime/blerje të reja
·    Njohuria në transformimin e subjekteve, për t’i shndërruar ato në biznese të qëndrueshme dhe konkurruese
·    Kultura e Evropës perëndimore për menaxhim të përgjegjshëm në këndvështrimin social

Konsorciumi i ACP Axos Capital GmbH, i këshilluar nga British Telecommunications dhe Telecom Italia, do të kërkojë me ngulm aplikacione të klasës botërore të cilat mund të adaptohen për të qenë të dobishme për qytetarët e Kosovës. Konsorciumi do ta transformojë PTK-në nga një ofrues i shërbimeve të telekomunikacionit në një partner që ofron zgjidhje dhe fokusohet në tregjet vertikale.

“Ne kemi qenë të përkushtuar ndaj këtij transaksioni që nga shpallja e parë e privatizimit në mars të vitit 2011 dhe mirëpresim finalizimin e tij në mënyrën që më së miri balancon interesat e Qeverisë dhe popullit të Kosovës, të gjitha në pajtueshmëri me standardet më të larta ndërkombëtare dhe në pajtueshmëri me standardet e krahasueshme të BE-së për privatizim të telekomeve,” tha Drejtori Menaxhues i ACP Axos Capital, Jan Budden.

“Jemi të ngazëllyer që kemi mundësi të investojmë në Kosovë, në këtë vend dinamik me prospekte të fuqishme të rritjes ekonomike dhe me potencial për tu bërë anëtare e re e Bashkimit Evropian. PTK posedon infrastrukturë të telekomunikacionit të cilësisë së lartë, ka pozitë të mirë në tregun vendor dhe me investime të vazhdueshme dhe zbatim të planeve zhvillimore të konsorciumit tonë, do të bëhet e aftë që të shndërrohet në një operator vertikalisht të integruar të telekomit, me seli në Kosovë.”

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)