ACP Axos Capital do të ndërmerrë veprime ligjore ndaj Kosovës
Prishtinë, 4 janar - Pas dështimit të privatizimit të PTK-së, ka reaguar Kompania ACP Axos Capital, e cila kishte blerë 75 për qind të aksioneve të PTK-së.
Në një deklaratë të lëshuar përmes e-mailit, që publikoi portali Total Telecom, zyrtari i ACP Axos Capital, Jan Budden, ka deklaruar se të gjitha vonesat në procesin e privatizimit të PTK-së ishin shkaktuar nga Qeveria e Kosovës.
Vendimi përfundimtar nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë të papritur dhe pa arsye të ndërpresë procesin e privatizimit është krejtësisht i papranueshëm dhe në kundërshtim me çdo standard ligjor ndërkombëtar. Kjo do të ketë pasoja ligjore, tregtare, ekonomike dhe financiare për Qeverinë e Kosovës dhe Kosovën në përgjithësi, thuhet në deklaratën e ACP Axos Capital.
Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë procedurat ligjore në bazë të ligjeve ndërkombëtare në fuqi për të mbrojtur interesat dhe të drejtat tona në këtë rast, ka deklaruar Jan Budden.
ACP Axos Capital, akuzon gjithashtu edhe Parlamentin e Kosovës.
Parlamenti i Kosovës e ka keqpërdorur procesin e privatizimit të PTK-së si një betejë për hesape të brendshme politike, thuhet në reagimin zyrtar të ACP Axos Capital. (http://www.totaltele.com/view.aspx?ID=484907)