AAK: Siguria në komunikacion më e ulëta në dekadë
Prishtinë, 15 nëntor - Në Ditën Ndërkombëtare për Kujtimin e Viktimave në Trafik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se kjo fushë e sigurisë është një ndër sfidat më të paadresuara në Kosovë.
Numri jashtëzakonisht i madh i aksidenteve në komunikacion, në rend të parë i aksidenteve me fatalitet, dëshmojnë për mungesë të madhe të angazhimit institucional për përmirësimin dhe zhvillimin e sigurisë njerëzore. Siguria në komunikacion, fatkeqësisht, në vitin 2015 është më e ulëta në dekadë.
Qytetarët e Kosovës janë të rrezikuar në mënyrë përditshme në komunikacion, kryesisht si pasojë e mosinteresimit qeveritar për të ndërtuar dhe zbatuar politika për rritjen e nivelit të sigurisë publike.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Komunikacion është jofunksional dhe nuk po kryen asnjë prej detyrave dhe autorizimeve që ka për të përmirësuar këtë fushë të sigurisë.
Problemet kryesore ndërlidhen me kontrollin fiktiv teknik të automjeteve, abuzimet në lëshimin e patentë-shoferëve, mungesën e sinjalizimeve nëpër rrugë, infrastrukturën jo të plotë rrugore, mangësitë në organizimin e Policisë së Kosovës në aspektin e trafikut, mungesën e dispozitave ligjore për ndëshkim më të lartë të shkelësve të rregullave në komunikacion, si dhe procedurat e ngathëta gjyqësore në këto raste.
AAK, po ashtu, vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të përkujdeset në mënyrë specifike për familjet kosovare që kanë humbur anëtarë të tyre në trafik, sikurse edhe për ata që kanë marrë lëndime të pashërueshme nga këto aksidente.
AAK përkujton të gjithë qytetarët që kanë humbur jetën në komunikacion, duke shprehur gatishmërinë për ndikimin e saj në përmirësimin e politikave qeveritare për të ulur aksidentet rrugore.