AAK: Qeveria po bën aksham pazar me asetet më të çmueshme
Prishtinë, 18 qershor - Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës (AAK) ka vlërsuar se stagnimi ekonomik në tri vitet e fundit është përcjellë me çrregullime strukturore në të gjitha segmente e ekonomisë, në veçanti në bilancin e këmbimit tregtar me jashtë, rënien e investimeve në sektorin privat, sidomos rënien e investimeve direkte të huaja.
Haki Shatri anëtar i kryesisë së AAK-së ka thënë se rritja e investimeve në sektorin publik nuk i dha efektet e pritura për shkak të keq-qeverisjes, korrupsionit dhe keqmenaxhimit të parasë publike. Si pasojë sipas tij kemi rritjen e papunësisë dhe varfërisë, pra përkeqësimin e stabilitetit makroekonomik dhe rrezikimin e paqes sociale.
\"Në këto rrethana, është rrezikuar stabiliteti buxhetor dhe sistemi fiskal. KASHi nuk respektohet, deri sa ligji vjetor i buxhetit favorizon ata sektorë në krye të të cilëve qëndrojnë persona më të fuqishëm politikisht në partinë në pushtet\", ka theksuar Shatri.
Prioritetet e qeverisë sipas tij nuk respektohen, veçanërisht prioritete sektoriale për shkak të deformimeve në fazën e planifikimit, përgatitjes dhe aprovimit të buxhetit.
\"Çrregullimet më të thella, me pasojë tepër negative ndodhin ne fazën e ekzekutimit të buxhetit. Efikasiteti dhe vlera e parasë publike të shpenzuar përgjysmohet rrugës deri në përfundimin e projekteve kapitale, përmes shmangies së rrugës ligjore, duke aplikuar format njëburimore të tenderëve (86 milion euro në vitin 2009), tenderëve më vlerë minimale (4 mil. E), kontratave shtesë, kontraktimi me operatorët me të shtrenjtë, mungesa e përcjelljes dhe kontrollit gjatë ndërtimit etj. Në veçanti, paraja publike po keqpërdoret në formë të përqindjes që merr punëdhënësi dhe vartësit e tij, pra ministri dhe të deleguarit e tij, për të përcjellë punën dhe mbledhë ryshfetin. Në saje të kësaj, qeveria po bën aksham pazar me asetet më të çmueshme të Kosovës\", është shprehur ai.
Shatri me tutje ka theksuar se vlera e parasë publike e cila në procesin e ekzekutimit kalon pa respektuar procedurat ligjore, arrin deri në 400 milion euro në vit.
\"Të hyrat buxhetore në vitin 2009 janë më të vogla se shpenzimet. Ndryshimi është mbuluar nga mjetet e bartura dhe rezervat. Për herë të parë paraqitet deficiti buxhetor. Për herë të parë nuk është realizuar 100 % plani i të hyrave për vitin 2009. Evazioni fiskal ka marrë përmasa. Qarkullimi i pakontrolluar i mallrave në pikat doganore 1 dhe 31, ka dëmtuar buxhetin për rreth 100 milion euro, sipas deklarimeve të vetë zyrtarëve të këtij institucioni, për vitin 2009, por konsiderohet se dëmi është dyfish më i madh\", ka pohuar Shatri.
Sipas tij ekonomia joformale është në rritje, evazioni fiskal është shtuar, krimi i organizuar po ashtu në rritje. Biznese të specializuara që merren me lëshimin e faturave fiktive, me qëllim të ikjes së pagimit të tatimit, funksionojnë në shumë nga qendrat më të mëdha të vendit.
Ndërsa Shatri po ashtu ka thënë se hyrja e qeverisë në obligime pa mbulesë, përmes kontratave shumëvjeçare, e detyroi atë që të rrëmbejë paratë e kursyera nga PTK-ja, 200 milion në 2009 dhe 80 milion në 2010, nga fitimi i kësaj kompanie, përveç tatimit që PTK i jep buxhetit të Kosovës. Duke mos i mjaftuar kjo, qeveria me nguti përfundoi dhënien me koncesion të Aeroportit të Prishtinës dhe mori vendim për shitjen e PTK-së.
Sa i përket privatizimit të PTK-së Shatri ka thënë së në parim, AAK është përcaktuar për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe transformimin e ndërmarrjeve publike.
\"Brenga jonë në këtë proces është vendimi i ngutshëm për privatizimin e Postë-Telekomit dhe Valës. PTK është ndërmarrje profitabile e cila buxhetit të Kosovës, i jep në forme të fitimit 280 milion euro, dhe është tatimpaguesi më i madh në Kosovë. Dilema është, sa do të shitet kjo kompani?\", ka deklaruar Shatri.