AAC u bën thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që të ndërprenë e grevën
Prishtinë, 14 shkurt - Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës (AAC) ka njoftuar se është duke e përcjellur për së afërmi situatën e krijuar në sektorin e aviacionit civil në përgjithësi dhe në veçanti sigurinë e operimeve ajrore në ANP “Adem Jashari” me rastin e vazhdimit të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
"Përderisa bashkë ndjejmë shqetësimin e udhëtarëve të prekur nga greva, informojmë opinionin se kompanitë ajrore janë njoftuar me kohë mbi grevën dhe orarin në mënyrë që ato të kenë mundësinë e organizimit të tyre pa e cenuar sigurinë në asnjë mënyrë", thekson AAC.
AAC-ja shpreh keqardhje që kontrollorët e trafikut ajror në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror kanë vendosur të vazhdojnë grevën me gjithë dedikimin tonë dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për trajtimin e tyre sipas rëndësisë së kontrollorëve të trafikut ajror, mungesës së tyre në tregun e punës dhe specifikat e punës që argumentojnë një trajtim ndryshe nga shërbyesit tjerë civilë.
AAC-ja ju bën thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që të ndërprenë e grevën duke pasur parasysh pasojat e mëdha për publikun që udhëton dhe humbjet tjera direkte e indirekte që mund të shkaktohen.
AAC-ja shpreson që palët të arrijnë një konsensus sa më të shpejtë në mënyrë që operimet ajrore të bëhen sipas orarit të planifikuar dhe të mos dëmtohen edhe më tej udhëtarët dhe funksionimi normal i ANP “Adem Jashari”.