AAC-ja ka bërë matjen e kënaqshmërisë së shfrytëzuesve
Prishtinë, 20 janar - Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka bërë matjen e kënaqshmërisë së shfrytëzuesve të shërbimeve që i ofron ky autoritet. Përmes një pyetësori të shkurtër, AAC-ja ka kërkuar mendimin e atyre që mund të vlerësojnë nivelin dhe cilësinë e dokumenteve që i harton AAC-ja, shërbimeve gjatë certifikimeve dhe licencimeve të ndryshme, aktiviteteve mbikëqyrëse të AAC-së te operatorët e aviacionit civil, etj.
Një numër i madh i atyre që janë përzgjedhur për tu pyetur nga industria e aviacionit, i është përgjigjur pyetësorit të AAC-së.
Përgjigja që AAC-ja ka pranuar nga pyetësori është mjaft e kënaqshme dhe tregon se industria që rregullohet nga ky autoritet beson se AAC-ja harton me qartësi dhe saktësi rregulloret, manualet udhëzues dhe dokumentet tjera, se personeli i AAC-së është gjithmonë i gatshëm të asistojë industrinë, se transparenca nuk mungon në këtë autoritet dhe se kompetenca dhe profesionalizmi i personelit është në një nivel mjaft të lartë.
Respondentët i janë përgjigjur pyetësorit elektronik përmes një web platforme, e cila ka ofruar edhe mundësinë e anonimitetit për ata që nuk kanë dashur të identifikohen.
Përveç matjes së jashtme, AAC-ja ka realizuar edhe matjen e brendshme të kënaqshmërisë, e cila bëhet çdo vit me qëllim të marrjes së rekomandimeve për përmirësim nga vetë personeli i AAC-së.
Rekomandimet nga të dyja matjet janë shqyrtuar në mbledhjen për rishikim të menaxhimit, e cila si çdo vit, është mbajtur në AAC gjatë dhjetorit. Një numër i madh i rekomandimeve nga matja e kënaqshmërisë ka zënë vend në planin e veprimit të AAC-së për vitin 2014.
Matja e kënaqshmërisë së shfrytëzuesve të shërbimeve të AAC-së bëhet në kuadër të mirëmbajtjes së sistemit për menaxhim të cilësisë dhe në mbështetje të zbatimit të politikës së AAC-së për përmirësim të vazhdueshëm të sistemit të brendshëm të punës.