98% të udhëtarëve të kënaqur me shërbimet e ANP Adem Jashari
Prishtinë, 9 shkurt - Sipas një studimi të Këshillit Ndërkombëtar për Aeroporte (Airports Council International), ANP Adem Jashari radhitet si aeroporti më i pëlqyer nga udhëtarët në Europë, në pothuajse të gjitha kategoritë ku është nominuar.
Me një kënaqshmëri të udhëtarëve prej 98% në total, Aeroporti i Prishtinës ka lënë pas shumë aeroporte të rajonit dhe Europës duke dëshmuar se është i përkushtuar të ofroj shërbime sa më kualitative.
Në bazë të Marrëveshjes së Partneritetit Publiko-Privat, ANP Adem Jashari ka qenë i obliguar që të mbajë nivelin e kënaqshmërisë në së paku 80%. Megjithatë, aeroporti ka tejkaluar parashikimet dhe ka arritur që të vlerësohet pozitivisht nga pothuajse të gjithë udhëtarët e anketuar nga ACI.
Këshilli Ndërkombëtar për Aeroporte (ACI) është themeluar në vitin 1991 dhe është i njohur si përfaqësues i interesave të aeroporteve në organizata dhe qeveri të ndryshme.
ANP Adem Jashari së fundmi ishte vlerësuar nga udhëtarët edhe në World Travel Awards 2015, duke u votuar si aeroporti i dytë lider në Europë.