800 mijë pasagjerë shfrytëzuan Aeroportin Adem Jashari
Prishtinë, 6 gusht- Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) Adem Jashari vazhdon të ketë më shumë pasagjerë krahasuar me disa aeroporte të tjera të vendeve të rajonit. ANP-ja, nëse krahasohet me Aeroportin e Shkupit për periudhën gjashtëmujore të këtij viti, e kalon atë mbi 300 mijë udhëtarë.
Arianit Dobroshi nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Rregullim Ekonomik nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës ka bërë me dije për gazetën Epoka e re se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2013 në ANP Adem Jashari kanë operuar 3 474 fluturime, në të cilat janë bartur 756 mijë pasagjerë apo 15 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2012.
Ndër kompanitë ajrore që ka bartur më shumë pasagjerë është Belle Air Europe, e cila ka bartur 142 903 udhëtarë, pastaj Germanwings 75 451, Darwin Airlines 73 429, Adria Airways 65 813, Turkish Airlines 61 905 udhëtarë etj, ka deklaruar ai.
Dobroshi ka bërë me dije se destinacionet që prijnë për fluturime në ANP janë: Cyrihu me 167 983 udhëtarë, pastaj Stambolli (Ataturk) me 60 517, Shtutgarti me 51 752, Dyseldorfi me 47 231 dhe Mynheni me 46 090 udhëtarë.
Nga Aeroporti i Shkupit fluturuan 443 601 pasagjerë
Numri i pasagjerëve të transportuar në aeroportet në Republikën e Maqedonisë në gjashtë muajt e parë të këtij viti është më i madh në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
"Në Aeroportin 'Aleksandri i Madh' në Shkup në gjashtë muajt e parë të vitit 2013 janë regjistruar 443 601 pasagjerë, që paraqet 18,7 për qind më shumë nga viti i kaluar, ku janë regjistruar 373 692 pasagjerë.
Në këtë aeroport është rritur edhe numri i lëvizjeve të aviacioneve për 8,7 për qind, ndërsa është shënuar edhe rritje e vëllimit të qarkullimit kargo dhe postal për 12,7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar", ka njoftuar Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë.
Pjesa më e madhe e udhëtarëve në Aeroportin "Aleksandri i Madh" 19,2 për qind kanë udhëtuar deri në Stamboll, 10,6 deri në Cyrih, 10,4 deri në Vjenë, 6,5 deri në Londër, 5,6 për qind deri në Lubjanë, 5,1 deri në Bazel, 5 për qind deri në Zagreb, ndërsa më pak se 5 për qind deri në destinacionet Malme, Beograd, Dortmund, Mynih, Dyzeldorf, Milano, Dubai dhe të tjera.