04 Janar 2025

42 milionë euro kredi për rehabilitimin Hekurudhave

Prishtinë, 8 dhjetor -  Më shumë se 80 milionë euro janë dhënë në dispozicion nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Komisioni Evropian (KE) për nisjen e modernizimit të hekurudhës 148 kilometërshe në Kosovë, duke  e lidhur atë me rrjetin evropian.

Marrëveshja për kredi  në vlerë prej 42 milionë euro ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane të Investimeve, u nënshkrua sot nga Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Bankës Evropiane të Investimeve Romualdo Massa Bernucci, në praninë e Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zhbogar.

Marrëveshja për kredi në vlerë prej 42 milionë euro për financimin e projektit Rehabilitimi i Linjës 10 të Hekurudhës përbën njërin prej burimeve të financimit të projektit, ndërsa pjesa tjetër e financimit do të sigurohet në formë të kredive, granteve, si dhe nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se “Ky projekt do të bëjë rehabilitimin dhe modernizimin e linjës hekurudhore që përshkon Kosovën nga kufiri jugor me Maqedoninë (Hani i Elezit), e deri në kufirin verior me Serbinë (Leshak), me gjithsej 148  km. Ky projekt paraqet investimin më të madh të bërë ndonjëherë në rrjetin hekurudhor dhe pritet të kapë vlerën prej rreth 208 milionë euro. Kredia që kemi nënshkruar sot me Bankën Evropiane për Investime paraqet një pjesë të financimit të nevojshëm, e që kap vlerën 42 milionë euro”, tha Ministri Hoti.

“Kjo kredi do t’i shtohet financimit tashmë të siguruar në vlerë prej 39.9 milionë euro me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa pjesa tjetër pritet të sigurohet nga fondet IPA të Bashkimit Evropian, si dhe një pjesë nga fondet e buxhetit të Republikës së Kosovës. Kushtet e kredisë së negociuar janë mjaft të volitshme dhe karakterizohen me një grejs periudhë përgjatë fazës së implementimit të projektit, kthim afatgjatë të kredisë deri në 25 vite, dhe normë interesi të ndryshueshme që në kushtet aktuale rezulton nën 1%, por që mund të fiksohet”, theksoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “Përfitues i këtij projekti do të jetë kompania publike Infrakos, e cila me këtë investim pritet të modernizohet dhe të kyçet në rrjetin rajonal hekurudhor. Si rezultat, do të rritet edhe rëndësia e Kosovës si urë lidhëse në transportin hekurudhor të mallrave në rajon”.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Bankës Evropiane të Investimeve Romualdo Massa Bernucci, bëri të ditur se kjo është kredia e parë e BEI-së për sektorin publik të Kosovës ndonjëherë.

“Kjo kredi kontribuon në angazhimin e Bankës për të mbështetur “veprimin klimatik” si rezultat i zvogëlimit të përgjithshëm të pritur të gazrave serë që paraqiten nga ndryshimi i mënyrës së transportimit të mallrave dhe pasagjerëve si rezultat i këtij projekti”, tha z. Bernucci.

Ndërsa, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian / përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar, bëri të ditur se “Përmes këtij projekti, Kosova do të përfitojë nga një grant investues i konsiderueshëm i BE-së, si pjesë e rezultateve konkrete të BE-së në agjendën e lidhjes për Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e saj për perspektivën evropiane në kuadër të kornizës së procesit të Berlinit".

"Rehabilitimi i rrjetit hekurudhor do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës. Kjo lidhje hekurudhore do të rezultojë në përmirësim të kapacitetit hekurudhor për pasagjerë dhe mallra dhe në përmirësim të dukshëm të kohës së udhëtimit, me emetime të zvogëluara të CO2. Kjo shumë e financuar nga Bashkimi Evropian pritet të paktën të dyfishohet për ekonominë lokale në një afat më të gjatë kohor”, shtoi z. Zhbogar.

Projekti për modernizimin e hekurudhës është përfshirë në pakon për investime të aprovuara në samitin e Ballkanit Perëndimor në gusht 2015 në Vjenë, në kuadër të agjendës më të gjerë të Bashkimit Evropian për promovimin e lidhjes në rajon dhe të lidhjes me BE-në.

Ky projekt do të integrojë rrjetin hekurudhor të Kosovës në korridorin Orient/Lindja-Mesdhetare, duke lidhur Ballkanin Perëndimor me Austrinë, Greqinë dhe Bullgarinë, si pjesë e Korridoreve të Rrjetit Kryesor të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T).

Linja hekurudhore “Route 10” është 250 km e gjatë, prej së cilës 148 km janë në Kosovë dhe pjesa tjetër në Maqedoni dhe Serbi. Modernizimi pritet të nisë në fund të vitit 2016 dhe të finalizohet në fund të vitit 2020.

Aktualisht, projekti për modernizimin e hekurudhave në Kosovë ka marrë një zotim prej gjithsej 122 milionë eurosh. Krahas 40 milionë eurove nga granti i BE-së dhe 42 milionë eurove nga kredia e BEI-së, ky projekt ka përfituar 40 milionë euro nga kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është dakorduar në shtator 2015. Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) ka kontribuuar gjithashtu në këtë projekt.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)