332 mijë pasagjerë kanë udhëtuar me aeroplan në TM2 të vitit 2015
Prishtinë, 4 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit, me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, dhe Postë Telekomunikimin për tremujorin e katërt TM4 2015.
Në territorin e Kosovës sipas ASK-se janë gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport dhe 110 privatë, derisa qarkullojnë 8 lokomotiva disel, të cilat bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh.
Në tremujorin e katërt të vitit 2015, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 66 mijë, ku krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2014 numri i udhëtarëve është ulur për 19.74%.
Transporti i mallrave me tren në tremujorin e katërt të vitit 2015 ishte 159 mijë tonë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, ka pasur ngritje për 9.97%.
Numri i fluturimeve në tremujorin e katërt të vitit 2015 ishte 1 387, ose 0.22% më pak se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2014).
Numri i udhëtarëve, që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti sipas ASK-se është rreth 332 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2014) ka rritje për 4.47%.