300 mijë numrat e ish Z-mobile t'i kthehen Telekomit
Prishtinë, 30 korrik - Lëvizja e Vetëvendosje vlerëson së njoftim i sotshëm i Bordit të Telekomit të Kosovës se Kontrata me Dardafone.net, ish Z-mobile, nuk do të vazhdohet më tej është padyshim një njoftim i pritur prej kohësh.
"Në këto momente përveç përgëzimeve për punëtorët e Telekomit të Kosovës dhe sindikatën për organizimin e tyre, na duhet t’i bëjmë thirrje publike Bordit të Telekomit, përfshirë dhe Kryeshefin Ekzekutiv se: Është urgjente të dërgohet lënda e plotë në Prokurori e edhe në Gjykata me qëllim njohjen e dëmit të shkaktuar dhe dëmshpërblimint e Telekomit të Kosovës nga ish Z-mobile si dhe të marrë masat e plota nëpërjet zyrës së tyre ligjore për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të padrejtë të arbitrazhit", thekson Vetëvendosje.
Po ashtu Vetëvendosje i bën thirrje Autoritetit Rregullativ (ARKEP) që sa më parë të ndërmarrë veprimet që 300 mijë numrat në përdorim të Z-mobile sa më parë t’i kalojnë efektivisht Valës, ashtu edhe siç i takojnë. Çdo ditë e zvarritjes së këtij procesi është vazhdim i dëmtimit të Telekomit.
Vetëvendosje konsideron se Çdo kërkesë e kompanisë Dardafone, për veprime apo kërkesa në fushën e telekomunikimeve të mos merret në konsideratë nga ARKEP për sa kohë që një seri lëndësh, raportesh, hetimesh janë duke u zhvilluar prej krimeve ekonomike deri tek Komisioni hetimor parlamentar në Kuvend.
Bordi i Telekomit dhe ARKEP janë përgjegjës që periudha e tranzicionit për numrat e ish Z-mobile të mos jenë në asnjë formë vegëz për çfarëdolloj keqpërdorimi të ri nga Dardafone.net.
"Çdo shtyrje apo keqpërdorim në disfavor të Telekomit të Kosovës lidhur me këto numra që i takojnë kësaj ndërmarrje i bën përgjegjës këta zyrtarë aktualisht në detyrë", thekson Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje! po e monitoron situatën në vijimësi dhe nuk do të ndalet derisa Telekomit t’i kthehet dëmi i shkaktuar nga Dardafone.net.
"Sot u arrit një fitore e madhe falë këmbënguljes së punëtorëve e qytetarëve në përgjithësi. Por ajo do të jetë e plotë kur Telekomit t’i kthehen fondet e tjetërsuara, prej ekzistencës së kësaj kontrate deri në ditën e sotme. Ne do të jemi këtu për t’u siguruar që kjo të ndodhë". vlerëson në fund Vetëvendosje.