20 Prill 2025

120 km në orë, shpejtësia e lejuar në autostradën e re

Prishtinë, 24 shkurt - Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku i ka njoftuar përfaqësuesit e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës për zhvillim ekonomik se projekti më madhor është ai ndertimi i autostradës Prishtinë - Hani i Elezit.

Zharku të martën në mbledhjen e komisionit ka thënë se aktualisht po punohet në seksionin e parë ku janë hapur 8.5 kilometra trase e rrugës. Zharku ka njoftuar se shpejtësia e lejuar e automjeteve ne seksionin 1 dhe 2 të kësaj autostrade është lejuar të jetë 120 km në orë, përderisa në seksionin 3 do të jetë 80 km. Zharku ka njoftuar se janë duke bërë edhe studimin e fizibilitetit për vazhdimin e Rrugës së Kombit nga Besia në Merdare.

Ai ka thënë se presin qe vazhdimi i kësaj autostrade të financohet nga BERZh. “Objektiv primar i MI-së në sektorin e infrastrukturës rrugore do të jetë integrimi i rrjetit të transportit të Kosovës, në kuadër të rrjetit të transportit të Evropës Juglindore”, ka theksuar ai.

Sipas tij në këtë rrjet të transportit janë të përfshira këto rrugë, drejtimi rrugor Prishtinë-Hani i Elezit, i njohur si drejtimi R-6, drejtimi R-7 Morinë- Prishtinë – Merdarë, drejtimi  N-9  Prishtinë – Pejë dhe ai N-2 Prishtinë –Mitrovicë.

 “Në këtë rrjet është përfshirë edhe linja hekurudhore 10, Leshak- Hani i Elezit dhe Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” i Prishtinës”, ka theksuar ai. Zharku ka folur edhe për projektet, të cilat pritet të realizojë MI-ja. “Projekti më madhor aktual i kësaj ministrie është ai i Autostradës Prishtinë-  Hani i Elezit, i cili ka filluar në korrik të vitit 2014. Kontrata lidhur me të është  nënshkruar në mes të MI-së dhe kompanisë “Behtel &Enka”, në vlerë prej 599 milion euro e 944 mijë e 263 e 55 cent, në të cilën vlerë është e përfshirë edhe TVSH-ja”, ka theksuar ai. Gjatësia e përgjithshme e projektit, është 60 km, kurse afati i përfundimit të projektit është 42 muaj”, ka thënë ai. 

Po ashtu ministri Zharku ka njoftuar se projekti është i ndarë në tri seksione. “Aktualisht punët janë duke u kryer në segmentin e parë të cilat përfshijnë hapjen e trasesë,  mbushjen e saj dhe dislokimin e instalimeve të kompanive publike, siç janë KEK-u, Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës si dhe rrjeti i Hidrosistemit “Ibër Lepenc”, ka theksuar ai.

Ministri po ashtu bëri të ditur se deri më tani janë hapur 8.5 km trase të këtij projekti. Ai ka thënë se segmentin e rrugës,  R-7 Morinë- Prishtinë – Merdarë, për të cilin MI-ja, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën e Investime Evropiane, do të kryejë studimin e fizibilitetit dhe plotësimin e projektit preliminar për segmentin Besi-Merdare, pas përfundimit të të cilit do të fillohet me realizimin e projektit në gjatësi pre 22 km.

Ai po ashtu nioftoi edhe për projektet e tjera që janë duke u realizuar, siç është ai i rrugës Prishtinë – Gjilan –Dheu i Bardhë, Prishtinë –Pejë,  Prishtinë – Mitrovicë, ndërsa u shpreh i bindur se gjatë këtij viti do të përfundojnë punimet deri në fshatin Stanofc, pjesë e segmentit të rrugës Prishtinë – Mitrovicë. Përpos kësaj, ai njoftoi edhe për projektet e reja të ndërtimit të  rrugëve regjionale. Me këtë rast, ai përmendi zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, rrugën, Komoran-Drenas- Skenderaj, rrugën Deçan- kufiri me malin e zi e të tjera.

Në fund, ministri Zharku u shpreh:”MTI-ja do të jetë e përkushtuar edhe  në rehabilitimin e rrugëve rajonale dhe regjionale”. Ndërkaq kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa ka kërkuar qe ndërtimi i rrugëve të bëhet në bazë të projekteve në mënyrë që të dihet kosto e saktë e rrugëve. Aktualisht është duke vazhduar mbledhja e komisionit me pyetje te ndryshme nga ana e deputetëve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)