1.1 milionë pasagjerë udhëtuan nga aeroporti i Tiranës në 5 muajt e parë të 2019
Tiranë, 28 qershor - Tregu i transportit ajror të pasagjerëve në Shqipëri ështër rritur për të tretin vit radhazi.
INSTAT bën të ditur se, në muajin maj 2019, transporti ajror i pasagjerëve zuri 68,8% të transportit gjithsej.
Ndërkohë që numri i pasagjerëve (hyrje e dalje ) që kanë udhëtuar me linja ajrore, nga Aeroporti "Nënë Tereza" i Tiranës, në pesëmujorin e parë 2019 arriti në 1.100.491 pasagjerë duke u rritur me 10,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Vitin e kaluar numri i udhëtarëve që përdorën Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës arriti në afërsisht tre milionë, në rritje me 12% krahasuar me vitin 2017. Ky treg po rritet, i shtyrë nga rritja e vazhdueshme e turizmit dhe biznesit në Shqipëri.
Kërkesës në rritje të këtij tregu, i vijnë në ndihmë zhvillimi edhe politikat e qeverisë për ndërtimin e aeroporteve të rinj në qytetet kryesore turistike të vendit, duke filluar nga Saranda, Vlora e Kuksi.
Zhvillimi i infrastrukturës aeroportuale në Shqipëri ka hyrë tashmë një stad të ri zhvillimi, çka pritet të sjellë flukse në rritje të këtij tregu, zhvillim të ekonomisë, turizmit dhe mbi të gjitha gjenerim të ardhurash.