Zyrtarizohet sporti i Ragbit në Kosovë, shtohet edhe një federatë e re
Prishtinë, 3 korrik - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim në kabinetin e tij, Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Qëllimi i këtij takimi ishte zyrtarizimi i Federatës së Ragbit në Kosovë, si dhe konkretizimit, konsolidimit dhe promovimit të mëtejmë të këtij sporti në vendin tonë.
Me këtë rast, ministri Gashi falënderoi ambasadorin britanez për bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e tij për sportin e Ragbit dhe shprehi gatishmërinë për të vazhduar edhe më tutje këtë bashkëpunim, duke synuar që të realizojnë bashkërisht projekte në fusha të ndryshme.
Po ashtu ministri Gashi e uroi ambasadorin për hapjen e Federatës së Ragbitë në Kosovë dhe u dëshiroi mbarëvajtje në garat që do të organizohen në këtë sport.
“Sot është një ditë e veçantë për sportin në Kosovës pasi që sot po e zyrtarizojmë Federatën e Ragbit. Ne, si MKRS, do të angazhohemi maksimalisht që ta japim kontributin tonë për zhvillimin e këtij sporti me pak traditë në vendin tonë”.
Ndërkaq, amabasadori O’Connell, falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe gatishmërinë e tij për krijimin e Federatës së Ragbitë në Kosovë dhe u shpreh i kënaqur që MKRS po u krijon mundësi të reja sportistëve në Kosovë.