Zyrtare: Ibrahimoviç i bashkohet Milanit
Milano, 29 gusht - Zlatan Ibrahimoviçi është lojtar i Milanit dhe do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me klubin italian.
Mundimi i Adriano Gallianit për të siguruar shërbimet e tashmë ish-sulmuesit të Barcelonës, doli i suksesshëm, pasi Milani arriti të transferojë njërin nga sulmuesit më të mirë në botë, i cili e pati të vështirë të përshtatej në lojën e Barcelonës.
"AC Milan dëshiron të njoftojë se ka transferuar Zlatan Ibrahimovicin nga Barcelona në formë huazimi, me të drejtën për ta blerë atë pas sezonit 2010/2011, për shumën prej 24 milionë eurosh. Ai do t'u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore të hënën dhe pastaj do ta nënshkruajë kontratën", shkruhet në faqen zyrtare të Milanit.
Ndërkohë, pak minuta pas transferimit në Milan, sulmuesi Zlatan Ibrahimovic i ka thënë edhe fjalët e para si rosoner.
Jam shumë i kënaqur, sepse situata nuk ishte e lehtë. Pse zgjodha Milanin. Sepse është nga skuadrat më të forta në botë, me traditë të madhe.
Ronaldinho e Pato? Do të kemi një sulm shumë të fortë, gjithçka varet nga ne. Adhuruesit e Milanit do të kënaqen.
Kurse mbështetësit e Interit? Nuk besoj që do të mendojnë në mua, tashti që kanë fituar gjithçka.
Ëndërrat? Dua ta fitojë Ligën e Kampionëve, Scudetton dhe gjithçka që mund të fitohet.