Zahaqi bëhet me Palestër të Sporteve
Prishtinë. 18 korrik - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Podujevës, qëllimi i të cilit është mbështetja financiare për Ndërtimin e Palestrës së Sportit në Zahaq të Pejës.
Nëpërmjet këtij Memorandumi, MKRS-ja investon mjete financiare prej 650 mijë eurosh për dy vite; investim ky që do të bëhet në dy faza.
Faza e parë prej 50 mijë eurosh për këtë vit, ndërsa faza tjetër prej 600 mijë eurosh për vitin 2017, ndërkaq Komuna e Pejës merr përsipër të investojë 10 mijë euro në vitin 2017 për këtë projekt kapital.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, u shpreh se ky investim kapital në Zahaq të Komunës ë Pejës, është në vazhdën e investimeve të shumta që po bën MKRS-ja nëpër tërë Kosovën, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës për sportin e Kosovës dhe krijimin e kushteve më të volitshme për sportistët kosovarë që të zhvillojnë sport cilësor dhe të korrin rezultate.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin dhe u shpreh se ky investim kapital në Zahaq të Pejës është në të mirë të interesave të qytetarëve të kësaj komune, të cilët së shpejti do të kenë kushte moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive.