Xhaka, kandidat për sportistin e vitit në Zvicër
Bernë, 20 nëntor - Granit Xhaka është njëri nga tre kandidatët për ta fituar titullin e sportistit më të mirë të vitit në Zvicër.
Përmes webfaqes www.sports-awards.ch të pasionuarit pas sportit mund të votojnë deri më 9 dhjetor të këtij viti për sportistin më të mirë zviceran.
Përpos futbollistit kosovar, në listë për këtë çmim prestigjioz individual janë edhe hokeisti Sven Baertschi dhe atleti Benjamin Weger.
Granit Xhaka është pjesë e pandashme e skuadrës përfaqësuese zvicerane. Në çdo ndeshje ndërkombëtare të këtij viti, futbollisti me prejardhje kosovare ka qenë pjesë e ekipit të trajnerit Ottmar Hitzfeld. Ai ishte lojtari kyç që ia solli Zvicrës Botërorin e parë në U-17, ndërsa ishte lider i ekipit U-21, shkruan webfaqja 1815.ch, e cila i përshkruan një nga një kandidatët.
Si mesfushor, ka dhënë kontribut domethënës në nivelin e klubeve në Ligën e Kampionëve me Baselin. Vetëm 19 vjeç, ai duket një lojtar i pjekur. Kalimi i tij në Borussia Monchengladbach kushtoi 8 milionë euro. Trajneri Favre shpreson që Xhaka ta mbulojë mungesën e mesfushorit të larguar, Marco Reus, vazhdon shkrimi.
Në natën gala do të zgjidhen sportisti, sportistja, skuadra dhe trajneri i vitit 2012. Vitin e kaluar, këtë çmim e kishte fituar gjimnastja Giulia Steingruber.