Xavi: Reali mbetet një skuadër mjaft e rrezikshme
Madrid, 28 janar - Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka deklaruar për mediat spanjolle se skuadra e tij nuk duhet ta nënvlerësojë aspak Realin e Madridit në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit, e cila do të luhet ditën e enjte.
Reali duhet të përballet me Barcelonën pa kapitenin e saj Iker Casillas dhe mbrojtësin Pepe, pasi të dy lojtarët kanë pësuar dëmtime, por gjithsesi Xavi mendon se edhe me mungesa Los Blancos mbetet një skuadër e frikshme.
Këto ndeshje janë gjithmonë të paparashikueshme. Ne gjendemi në një formë mjaft të mirë tashmë por çdo gjë mund të ndodhë sepse i tillë është futbolli, tha Xavi për gazetarët.
Ata do të vuajnë mungesën e disa prej lojtarëve kryesorë, por gjithsesi, Reali është Reali dhe është mjaft e vështirë që ta mposhtësh lehtësisht. Mesfushori i përfaqësueses spanjolle gjeti kohën të komentonte gjithashtu edhe sfidën e Champions League ndaj skuadrës së Milanit.
Milani është një skuadër mjaft e vështirë për tu mundur. Ata kanë qenë gjithmonë mjaft të mirë në mbrojtje. San Siro nuk është aspak një vend i thjeshtë për të fituar pasi gëzon mbështetjen e një tifozerie mjaft të zjarrtë, shtoi Xavi.