Xavi Hernandez dhe Jordi Alba janë të gatshëm për PSG-në
Barcelonë, 1 prill - Xavi Hernandez dhe Jordi Alba kanë rikuperuar lëndimet dhe do të jenë të gatshëm për ndeshjen e Barcelonës kundër ekipit francez PSG, njoftojnë të dielën, mediumet spanjolle.
Barcelona ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve e luan në udhëtim, kurse Xavi e Alba pritet të jenë titullarë.
Alba u dëmtua në ndeshjen eliminatore të Spanjës kundër Finlandës (1:1), ndërsa Xavi në fitoren 1:0 kundër Përfaqësueses së Francës.
\"Xavi dhe Alba do të jenë të gatshëm për lojë dhe ky është një lajm shumë i mirë për ekipin tonë. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, por nuk besoj se do të dorëzohemi\", ka thënë trajneri Tito Vilanova, i cili të dielën ka udhëhequr seancën e parë stërvitore pas dy muajve për shkak se ishte në New York për shërim nga kanceri.