Vritet lojtari i kombëtares së Hondurasit, Arnold Peralta
Karaibe, 11 dhjetor - Lojtari i Kombëtares së Hondurasit, Arnold Peralta, 26 vjeç, është qëlluar për vdekje me armë zjarri në parkingun e një qendre tregtare në La Ceiba, në bregdetin e Karaibeve.
Së fundmi Peralta, luante me skuadrën Olimpia në Honduras, ndërsa më parë kishte luajtur edhe në Europë me Rangers në Skoci.
Hondurasi është përfshirë nga dhuna dhe lufta mes bandave të drogës, duke pasur një nga normat më të larta të vrasjeve në botë.
Osman Madrid, Presidenti i Federatës së Futbollit të Hondurasit, e cilësojë vrasjen e 26-vjeçarit si tragjike, ndërsa tha se sporti në vend është në zi.
Zyrtarë të policisë thanë se ende nuk ka asnjë të arrestuar në lidhje me vrasjen, ndërsa edhe motivet janë ende të paqarta.
Arnold Peralta përfaqësoi Hondurasin në Lojërat Olimpike të 2012 në Londër, por nuk mori pjesë në Kampionatin Botëror të Brazilit në 2014-n, pasi ishte i dëmtuar. Ai kishte marrë ftesë për tu grumbulluar me kombëtaren në një ndeshje miqësore që Hondurasi do të luajë javën e ardhshme ndaj Kubës.