Vrapohet në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale
Prizren, 8 qershor - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka bërë të ditur së Kosova, përkatësisht qyteti i Prizrenit është përzgjedhë si vendi i 48-të në të cilin Claire McFarlane, e mbijetuar e dhunës seksuale, do të vrapojë 16 kilometra në mënyrë që përmes sportit të kontribuojë në diskutimin rreth dhunës seksuale.
McFarlane është themeluese e një lëvizjeje të quajtur Movement to Inspire: Lëvizje botërore sportive që bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave.
Nisma kryesore e kësaj lëvizjeje quhet Footsteps to Inspire (shqip: Gjurmë frymëzuese). Ajo vrapon 16 kilometra me qëllim diskutimin gjithë botëror të dhunës seksuale.
Kushdo që dëshiron të bashkohet në këtë kauzë është i/e mirëseardhur që t’i bashkohet McFarlane në këtë vrapim simbolik nesër, duke filluar nga ora 08:30, para objektit të Kuvendit Komunal në Prizren.
Organizatat lokale të cilat mirëpritën këtë aktivitet; Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), FemAktiv si dhe Qendra për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve – Prizren u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkëngjiten në këtë kauzë duke vrapuar.
Si çdo herë, Rjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i bashkohet çdo nisme, si simbolike po ashtu edhe përmbajtësore për trajtim të dinjitetshëm të të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe luftim të paragjykimeve ndaj tyre.