Van Persie largohet nga Arsenali, Handanoviq kalon në Inter
Londër, 5 korrik - Kapiteni i skuadrës londineze Arsenal, Robin van Persie në faqen e tij ka publikuar se nuk do ta vazhdojë kontratën me klubin e tashëm, pas së cilës ueb faqja e tij ka rënë për shkak të numrit të madh të klikimeve.
Me informatën e publikuar se ai nuk do të vazhdojë kontratën që i skadon në verë të vitit 2013, holandezi tronditi tifozët e Arsenalit dhe adhuruesit e tij.
Kam menduar gjatë dhe kam vendosur të mos e zgjas kontratën me Arsenalin. E di që tifozët nuk do të pajtohen me këtë vendim timin, por ky është vendimi i fundit. Gjithmonë do të kem respekt për këtë skuadër dhe tifozët e Arsenalit, ka shkruar Van Persie.
Pas një deklarate të tij, nuk përjashtohet mundësia që ai të largohet nga klubi qysh këtë verë, sepse në të kundërtën ai do të mund të largohet verën e ardhshme pa pagesë të kurrfarë kompensimi.
Më së shumti interesim për të kanë shprehur dy ekipe kampione të vendeve të veta: Manchester City dhe Juventusi.
Sezonin e kaluar van Persie ka shkëlqyer me ekipin londinez, duke shënuar 37 gola, që mund ti shikoni për 150 sekonda në video.
Ajë që përflitej tash e disa ditë për Interin u bë realitet. Portieri slloven Samir Handanoviq, i cili aktualisht është i lidhur me kontratë me Udinesen, do të kalojë në Inter për shumën prej 11 milionë eurove.
Sipas informatave nga mediet italiane, dy klubet tashë kanë arritur marrëveshje dhe tash mungon vetëm edhe nënshkrimi formal i Handanoviqit. Pas këtij zhvillimi të ri, ashtu siç edhe është paralajmëruar, sigurisht se portieri i deritashëm Julio Cesar do të largohet nga Interi.