Valencia kundër arbitrave
Valencia, 10 prill - Pasi u eliminuan nga Liga Europa, pas barazimit pa gola me Atletiko Madridin, nga tabori i Valencias kanë ngritur zërin kundër arbitrave. Mllefin më të madh e kanë ndaj arbitrit që qëndronte pas portës së Atletikos, pasi në minutën e 86-të, nuk e sanksionoi me penalti ndërhyrjen e Huanitos ndaj Nikola Zhigiçit, i cili ishte në mundësi për të shënuar gol.
"Jemi shumë të hidhëruar. Erdhëm në Madrid që të fitojmë, nuk shfrytëzuam disa raste, ndërsa në fund arbitrat nuk na dhanë një penalti të pastërt. Asnjëherë nuk kam parë ndërhyrje më të qartë, mirëpo arbitrat nuk referuan asgjë. Nuk kemi asnjë fitim nëse ankohemi, pasi ajo gjë thjesht është humbje kohe. Tani nuk mundemi të ndryshojmë asgjë, prandaj do të koncentrohemi në sfidat që na presin në Primera Divizion",-deklaroi sulmuesi serb nikola Zhigiç.
Aspak më i disponuar nuk ishte edeh trajneri i Valnecias Unai Emeri.
" Mundeni që gjithçka të shihni në televizion, inçizimi nuk gënjen. Kur u vendos që të sillen dy arbitra plotësues, nuk mendohej se situata të këtilla do të mbeten pa u sanksionuar. Shpresoj se arbitrat nuk kishin qëllim të na dëmtojnë, mirëpo kur do të shohin inçizimin do të duhej të turpërohen për vendimin e tyre",- deklaroi i hidhëruar Emeri, i cili u ndëshkua me karton të kuq për shkak të protestave të ashpra ndaj arbitrit Florian Mejer.
Valencia u eliminua nga Liga Europa edhe pse në dy ndeshjet e çerekfinales nuk pësoi disfatë nga Atletiko Madridi, mirëpo pas skuadra madriliene si mysafir barazoi 2:2, ata kaluan në gjysmëfinale ku do të përballen me Liverpulin.