Urojnë për pranim ne UEFA
Prishtinë, 3 maj - Lidërët e vendit kanë uruar FFK-në, për pranim në UEFA.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar të gjithë futbolldashësit për pranimin e Kosovës në UEFA.
Kosova në UEFA! Lajmi më i mirë i mundshëm për tifozët e panumërt në Republikën tonë. Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare - disa lojë do ti fitojmë, disa do t\'i humbim, por kurrë më s\'do të na ndalin nga fusha e gjelbër. Urime Fadil Vokrrit dhe federatës, urime lojtarëve të kombëtares sonë, urime të gjithë qytetarëve, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka uruar të gjithë shqiptarët për pranimin e shumëpritur në UEFA.
I pari i Kuvendit, ka thënë se më në fund izolimit të futbollit i erdhi fundi.
Dita e shumëpritur e daljes së futbollit tonë nga izolimi i padrejtë dhe i tejzgjatur, më në fund erdhi. Urime të gjithëve për këtë fitore të madhe për Kosovën! Tanimë jemi anëtarë me të drejta të plota në UEFA dhe futbollistët tanë mund të shpalosin talentin e tyre nëpër stadiumet më prestigjioze ndërkombëtare, ka shkruar Veseli në Facebook.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka përgëzuar Kosovën për pranim në UEFA.
Ai ka thënë se vendi ynë po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme.
Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që shteti ynë sapo arriti edhe një sukses kulminant historik. Futbolli i Kosovës nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme. Rezultatet kulminante, produkt i përkushtimit tonë dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtar, do të vazhdojnë në ditët në vijim. Të ndihemi krenar me Atdheun tonë!, ka shkruar Mustafa në Facebook.