United ofron 95 milionë euro për Levandovskin
Londër, 27 prill - Manchester United është i gatshëm të shpenzojë 95 milion euro për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Borusias së Dortmundit, Robert Levandovski.
Sipas The Sun, Alex Ferguson ka gati planin; derdhjen e 33 milion eurove në arkën e skuadrës gjermane dhe 238 mijë euro pagën javore për sulmuesin polak për pesë vite.
Por për të siguruar shërbimet e polakut, Djajtë e Kuq duhet të mposhtin konkurencën e Bajernit të Mynihut që pretendon se ka arritur një parakontratë me lojtarin për 24 mln euro. Vetë agjenti i Levandovskit deklaroi se ka një marrëveshje me një skuadër dhe se futbollisti ka ndërmend të lëvizë në merkaton e kësaj vere.
Por Dortmundi kunërshton duke deklaruar se nuk do të shesë sulmuesin e tij, sidomos tek Bajerni pasi këta të fundit morën Mario Goetze këtë javë për 37 milion euro. Kjo dhe një ofertë më e majme nga ana e Manchester United, sipas The Sun, mund të bindë lojtarin dhe skuadrën e tij për të pranuar Djajtë.
Emri i sulmuesit Levandovski është bërë më i lakuari së fundmi në merkaton futbollistike dhe për këtë ndikuan edhe katër golat e tij në mesjavë kundër Realit të Madridit që çuan verdhezinjtë gjermanë me një këmbë në finale.