United edhe 82 milionë paund për tre lojtarë
Manchester, 16 gusht - Edhe pse dështoi me transferimet e Thiago Alcantara dhe me shumë mundësi edhe me Cesc Fabregas tekniku i ri i Manchester United, David Moyes, nuk kërkon të ndalet në merkato.
Ish trajneri i Everton kërkon tre lojtarë për të përforcuar skuadrën në vigjilje të sezonit 2013-2014 dhe që të tre janë emra mjaft të spikatur dhe që kushtojnë jo pak.
I pari është braziliani i Anzhi Willian, i cili duket se do të largohet nga klubi rus dhe për të cilin Moyes ofron plot 30 sterlina. 25-vjeçari kërkohet edhe nga Tottenham dhe Liverpool.
Emri i dytë është edhe më i njohuri: Mesut Ozil. Për fantazistin turko-gjerman të Real Madrid \"Djajtë e Kuq\" ofrojnë 40 milionë paund, por vështirë se \"Los Blancos\" do të heqin dorë lehtë nga asi i tyre.
Dhe në fund një ish futbollist i Moyes te Everton. Bëhet fjalë për mbrojtësin Leighton Baines, tashmë pjesë edhe e Kombëtares angleze, për të cilin janë ofruar 12 milionë paund por që janë refuzuar.
Pritet që në ditët në vijim të mësohet edhe e vërteta mbi tre objektivat e Manchester United.