UEFA me Ligë Ballkanike, lë jashtë Shqipërinë dhe Kosovën
Zagreb, 11 tetor - Formimi i një ligje rajonale të ashtuquajtur Ballkanike qysh në fillim të negocimit të detajeve të para ka lënë përjashta Shqipërinë dhe Kosovën.
Javorja kroate Globus ka publikuar planin e UEFA që parasheh formimin e kësaj lige ballkanike me 16 klube nga shtetet e ish-Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Hungarisë. Fillimi i saj planifikohet të jetë më 2015.
Sipas gazetës kroate, në këtë ligë do të marrin pjesë klube nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina, Sllovenia, Maqedonia, Bullgaria dhe Hungaria, ndërsa siç bëhet e ditur, drejtuesit e federatave të futbollit të këtyre vendeve kanë përkrahur planin.
Takimi midis zëvendës sekretarit të UEFA, grekut Teodor Teodoris dhe disa drejtuesve të federatave të futbollit të vendeve të Ballkanit është mbajtur këtyre ditëve në Tivar të Malit të Zi, ku për dy ditë janë diskutuar edhe tema të tjera.
Por, gazeta kroate ka shprehur mëdyshje për funksionimin e kësaj lige, sidomos duke njohur edhe situatën dhe duke shprehur mëdyshjet për funksionimin e saj, pasi që shumica e vendeve të kësaj lige, kanë pasur probleme të trashëguara që çuan me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
Në qendër të vëmendjes është konflikti midis serbëve dhe kroatëve, që ishte një sinjal paraprijës me rrahjen masive dhe dhunën në stadiumin e Zagrebit në vitin 1991 midis Dinamo Zagreb dhe Crvena Zvedza.