UEFA do të ndalojë pirjen e duhanit në Euro 2012
Gjenevë, 22 tetor - UEFA do të ndalojë pirjen e duhanit në stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet e Euro 2012.
Një vendim i paprecedent ky me objektivin për të ndërgjegjësuar tifozët për lidhjen që ekziston mes sportit dhe shëndetit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur në një komunikatë se UEFA do të ndalojë pirjen e duhanit në të gjitha stadiumet e Polonisë dhe Ukrainës që do të mirëpresin ndeshjet e kampionatit europian.
Një kampionat europian pa tym do të ndikojë për mirë në shëndetin e spektatorëve dhe personave që janë të implikuar në kompeticion, tha Michel Platini, presidenti i UEFA-s.
Zsuzsanna Jakab, drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, theksoi se duhani vret dhe shkakton sëmundje të rënda.
Ndalimi i duhanit në stadiumet e Euro 2012 nuk i heq bukurinë futbollit, por bën që turneu të jetë më i sigurtë për personat e përfshirë në të dhe ndihmon Poloninë për ti bërë ballë një problemi të madh shëndetësor, shtoi Eva Kopacz, ministrja e shëndetësisë së polonisë.