Tottenham Hotspur shkarkon trajnerin Jose Mourinho
Londër, 19 prill - Klubi anglez i futbolli, Tottenham Hotspur ka shkarkuar trajnerin e tij portugez Jose Mourinho.
"Klubi njofton se Jose Mourinho dhe stafi i tij i trajnerëve Joao Sacramento, Nuno Santos, Carlos Lalin dhe Giovanni Cerra janë liruar nga detyrat e tyre", njoftoi Tottenham.
Tottenham nuk përmendi asnjë arsye për shkarkimin e Mourinhos. Klubi shtoi se Ryan Mason do të marrë ekipin në seancën stërvitore të së hënës.
Mourinho, 58-vjeç, u emërua trajner i Tottenhamit në vitin 2019.
Ndërkohë, presidenti i Tottenhamit Daniel Levy falënderoi Mourinhon dhe stafin e tij për përpjekjet e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit, një periudhë sfiduese për Spurs.
"Jose është një profesionist i vërtetë i cili tregoi rezistencë të jashtëzakonshme gjatë pandemisë. Në nivel personal, më ka pëlqyer të punoj me të dhe pendohem që gjërat nuk kanë ecur siç kemi parashikuar të dy. Ai do të jetë gjithmonë i mirëpritur këtu dhe dëshirojmë të falënderojë atë dhe stafin e tij stërvitor për kontributin e tyre", tha Levy.