Thiago Silva luan ndaj Dynamo Kievit
Paris, 18 shtator - Transferimet e reja të Paris Saint-Germain, Thiago Silva dhe Gregory Van der Wiel, do të jenë të gatshëm për ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Dynamo Kievit, ka bërë të ditur trajneri Carlo Ancelotti.
Strategu italian ka thënë se mbrojtësi brazilian është stërvitur që kur u kthye nga Lojërat Olimpike me Brazilin, ku edhe u dëmtua.
Ish-futbollisti i Milanit, i cili konsiderohet një nga mbrojtësit më të mirë në botë, këtë verë u transferua në Parc des Princes, ku nënshkroi kontratë pesëvjeçare.
Edhe mbrojtësi i djathtë holandez, Van der Wiel, kaloi te PSG këtë verë nga Ajaxi, ndërsa nënshkroi kontratë katërvjeçare.
Paris Saint-Germain bën gara në Grupin A të Ligës së Kampionëve, së bashku me Dynamo Kiev, Dinamo Zagreb dhe Porto.