Thaçi mbështet sportistët në Olimpiadën Speciale Ndërkombëtare
Prishtinë, 26 janar - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zëvendëspresidentin e Olimpiadës Speciale Ndërkombëtare për personat me aftësi të veçanta, David Evangelista, bashkë me përfaqësuesit e kësaj olimpiade në Kosovë.
Ndonëse Kosova është vend i vogël, presidenti Thaçi ka thënë se kemi sportistë të dalluar, që kanë pasur paraqitje të mira në gara të ndryshme ndërkombëtare.
Për herë të parë kemi marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Rio dhe jemi kthyer me një medalje të artë. Besoj se edhe dy sportistët tanë, Medina dhe Kushtrimi, që do të garojnë në olimpiadën e sivjetme speciale në Austri, do të kthehen me medalje, u shpreh presidenti Thaçi.
Olimpiadës Speciale të Kosovës (SOK), e cila funksionon si organizatë joqeveritare, presidenti Thaçi i premtoj se do të angazhohet që të kenë përkrahje më të madhe institucionale.
Zëvendëspresidenti i Olimpiadës Speciale Ndërkombëtare theksoi se kjo organizatë sportive është e njohur edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe është krijuar me qëllim që tua ndryshojë jetën personave me aftësi të veçanta, duke i integruar ata në shoqëritë moderne.
Ofrojmë program sportiv që zhvillohet gjatë tërë vitit, përfshirë edhe trajnimin dhe garimin individual të atletëve, në të gjitha kategoritë sportive, u shpreh ai.