Telegram ngushëllimi për vdekjen e futbollistit Agim Maloku
Prishtinë, 27 qershor - Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Maloku me rastin e vdekjes së ish-futbollistit të Lirisë, Agim Maloku.
Lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj, të ish-futbollistit të Lirisë, kontribuuesit të madh të futbollit të Kosovës, Agim Malokut, e morëm me pikëllim të madh, thuhet në telegramin e ministrit Shala.
Sipas Shalës, ndarja nga jeta e Agimit, është një humbje e rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë e tij, për Lirinë, për FFK-në por për tërë futbollin e Kosovës.
Legjenda e Lirisë, Agimi, ka qenë një prej futbollistëve të shquar i cili i ka qëndruar besnik klubit, duke e përfunduar karrierën aty, ka shkruar Shala, duke shtuar se Maloku mme angazhimin e tij, ka qenë i përkushtuar edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës, që prej fillimit të pavarësimit të futbollit të Kosovës deri në ndërkombëtarizimin e tij, në UEFA e FIFA.
Me kontributin e tij, Agimi, ka bërë që të jetë mik i respektuar i tërë atyre që e kanë njohur në botën e futbollit, të jetë i vlerësuar dhe fjala e tij të zë vend. Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar dhënë për futbollin e Kosovës. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Agim Malokut, thuhet në fund të telegramit.