Stadiumi i finales së Botërorit 1958 i falet Kosovës
Prishtinë, 2 qershor - Stadiumi ku legjenda e futbollit, Pele, u bë i njohur në arenën ndërkombëtare do ti dhurohet Kosovës. Stadiumi Rasunda, që gjendet në Solna të Suedisë, do ti bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës nga Federata e Futbollit të Suedisë.
Në të vërtetë stadiumi ku u zhvillua finalja e kampionatit botëror të vitit 1958 do të rrënohet në fund të këtij viti, ndërsa të gjitha pajisjet e tij që mund të çmontohen e të shfrytëzohen prapë do të vijnë në Kosovë.
Kjo është bërë e ditur të enjten në një konferencë për shtyp të përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, dhe drejtuesve të FFK-së.
Stadiumi ku u luajt finalja e botërorit të vitit 1958 Rasunda, ndërmjet Suedisë dhe Brazilit, do të rrënohet në periudhën 10 nëntor 10 dhjetor të këtij viti.
Atë finale e fitoi Brazili me rezultatin 5:2. Pele, atëbotë 17-vjeçar, në këtë botëror u bë i njohur në tërë botën. Në finale shënoi dy gola.
Stadiumi i përfaqësueses së Suedisë dhe klubit AIK do të rrënohet për tu zëvendësuar me stadiumin e ri, Friends Arena Svedbank, që është duke u ndërtuar po ashtu në Solna të Stockholmit.
Komplet stadiumi Rasunda do ti bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës. Vlera financiare e kësaj dhurate është shumë e madhe. Dhurata përmban 37 mijë ulëset e stadiumit, shumë cilësore, pastaj sistemi i ndriçimit me standarde të FIFA-s, sistemi i dëgjimit, rrethojat speciale të aluminit për siguri, katër porta lëvizëse, 30 metra tunel lëvizës, ulëset VIP, 12 kioska për shitje të biletave, salla e konferencave e tetë zhveshtore, ka thënë përzgjedhësi Bunjaki.
Sipas tij, vendimi për rrënim të stadiumit u mor që në vitin 2006. Ai thotë se dhurata është rrjedhojë e marrëdhënieve të mira që ka FFK-ja me Federatën e Futbollit të Suedisë. Sipas Bunjakit, transportin e pajisjeve për në Kosovë duhet ta bëjë FFK-ja.
Më 15 gusht në këtë stadium do të zhvillohet ndeshja miqësore në mes Suedisë e Brazilit, në të cilën prezent do të jetë edhe një delegacion i FFK-së. Ndërsa ndeshja e fundit në Rasunda do të zhvillohet më 6 nëntor mes AIK-ut e Malmos.
Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se Federata ende nuk ka vendosur se në cilin stadium do ti dërgojë pajisjet. Sipas tij, transportimi i pajisjeve nga Suedia nuk do të jetë problem.