Spanja shkel Francën ndërsa Anglia përmbys Egjiptin
Paris, 4 mars Kampioni i Evropës në fuqi, Spanja, ka dalë fitues kundër Francës, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Stade de France të Saint-Denis.
Furia e Kuqe ka fituar me rezultat prej 2-0 kundër Les Bleus, për të konfirmuar edhe njëherë statutin e favoritit për ta fituar Kampionatin Botëror 2010.
David Villa (21) dhe Sergio Ramos (45) i dhanë fund ndeshjes që në pjesën e parë, duke qenë se në fraksionin e dytë të lojës nuk pati gola.
Ndërsa Tre Luanët kanë shënuar fitore prej 3-1 përballë kampionit të Afrikës, Egjiptit. Faraonët kaluan të parët ne epërsi me anë të Mohamed Zidan (23) dhe me avantazh minimal prej 1-0 mbyllën pjesën e parë.
Mirëpo, në pjesën e dytë, anglezët u treguan efikas duke arritur të shënojnë tre gola. Njëherë Peter Crouch barazoi rezultatin (57), ndërsa Shaun Wright-Phillips krijoi epërsinë për Anglinë (75).
Rezultatin përfundimtar e vendosi Crouch me golin e dytë personal në ndeshje (80).