Spanja për herë të parë në finale, mund Gjermaninë
Johanesburg, 8 korrik - Holandë-Spanjë, kjo është finalja e madhe e Botërorit 2010. Kombëtarja iberike i dha fund rrugëtimit të Gjermanisë në këtë kompeticion duke fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe duke arkivuar finalen e parë në një Botëror.
Ashtu si në shumicën e ndeshjeve të tyre, spanjollët kontrolluan pjesën më të madhe të lojës duke qarkulluar topin më shumë se gjermanët. Por vendosja e mirë në fushë e skuadrë së Lëv nuk u lë shumë hapësira Vilës me shokë, ndërkohë që gjermanët u përpoqën disa herë me disa kundërzbritje për të gjetur golin e avantazhit.
Në një rast të tillë, Mesut Ozil merr një top të mirë prej Kloses. Fantazisti gjerman futet brenda zonës bashkë me topin dhe pas një kontakti të lehtë me Pyjol rrëzohet, por për gjyqtarin Kassai nuk ka 11 metërsh. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0. Ndërkaq për vlen tu përmendur edhe incidenti i minutës së katërt të takimit, kur një tifoz futet në fushë duke detyruar gjyqtarin hungarez të ndërpresë lojën.
Fraksioni i dytë i takimit nis sërish me të njëjtën panoramë, por ndryshe nga e para Spanja shton presion e saj në kërkim të golit. Pikërisht në minutën e 73 të takimit gjermanët shokohen teksa pësojnë gol nëpërmjet një goditje këndi. Kros i futur në zonë prej Ksavit gjen brenda zonës gjermane mbrojtësin e Barcelonës, Pyjol i cili kërcen më lartë nga të gjithë dhe shënon golin e avantazhit. Kaq mjaftoi për të ndezur tifozerinë spanjolle dhe për të dëshpëruar atë gjermane.
Pjesa e mbetur e takimit foli për Gjermaninë e cila edhe pse u përpoq nuk arriti të shënojë golin që do të balanconte rezultatin, ndërkohë që Spanja në disa raste kundërzbriti shpejt, me Pedron dhe Torresin që u fut në lojë duke zëvëndësuar golashënuesin e këtij Botërori, David Villa.
Tashmë njihen dy finalistët e 11 korrikut. Spanja pas kalimit të Gjermanisë shkon për herë të parë në një finale Botërori ku gjen Holandën, rivalen e së dielës për trofeun prestigjoz. Ndërkohë që Gjermania do të ndeshet me Uruguajin më 10 korrik për të përcaktuar vendin e 3 dhe të 4.