Spanja kualifikohet në Euro 2016
Madrid, 10 tetor - Spanja është skuadra e radhës që siguron kualifikimin direkt për në fazën finale të Euro 2016.
Skuadra kampione në fuqi e Evropës shkatërroi Luksemburgun me rezultatin 4-0 falë dy golëshave të Santi Kasorlës dhe Pako Alkaser për tu ngjitur në kuotën e 24 pikëve.
Trajneri i iberikëve, Visente Del Boske u shpreh shumë i kënaqur me arritjen e këtij objektivi, kjo edhe për faktin se Spanja e nisi këtë fushatë të kualifikueseve me humbjen 2-1 ndaj Sllovakisë.
Zhvilluam eliminatore shumë të mira, por mund të them se edhe vuajtëm-tha Del Boske, humbja në Sllovaki ishte një handikap për ne në këtë fushatë. Përsa i përket stilit të lojës dhe rinovimit të skuadrës, mendoj se kemi bërë përparime dhe skuadra tashmë duket se ka marrë formë.
I pyetur se cili do të jetë sulmuesi i skuadrës së Spanjës në Evropianin e vitit të ardhshëm, Del Boske theksoi se ai do ta ketë nevojën e Moratës, Pako Alkaser dhe Diego Kostës.
Ajo çfarë na duhet është që 3 nga sulmuesit si dhe pjesa tjetër e skuadrës të jenë gati për aktivitetin. Kemi nevojë për ta në shënimin e golave, tha Del Bosque.
Spanja do të marrë pjesë në fazën finale të një evropiani sic është ai i Francës, për herë të 12 në historinë e saj. Skuadra iberike do të kërkojë që vitin e ardhshëm të bëjë një figurë më të mirë nga ajo në Botërorin e Brazilit në 2014 kur u eliminua në fazën e grupeve.