Spanja, Italia dhe Holanda kualifikohen në Euro 2012
Madrid, 7 shtator - Kampioni në fuqi i Evropës dhe botës, Spanja, e ka siguruara kualifikimin për Euro 2012 pas fitores prej 6-0 kundër Lihtenshtajnit.
Negredo e hapi takimin me dy gola të njëpasnjëshëm (34 dhe 37), ndërsa Xavi Hernandez vendosi rezultatin e pjesës së parë (44).
Pak minuta brenda gjysmës së dytë (52), Sergio Ramos shënoi për rezultatin 4-0, ndërsa dy golat e fundit i takuan sulmuesit të Barcelonës, David Villa (60 dhe 79).
Duke qenë se diferenca e Spanjës me përcjellësin e parë, Republikën Çeke, është e paarritshme, La Roja siguron kualifikimin për Kampionatin Evropian të futbollit.
Edhe kombëtarja e Holandës e ka mposhtur Finlandën si mysafir me rezultat prej 2-0 për të siguruar matematikisht kualifikimin në Kampionatin e ardhshëm Evropian të futbollit.
Një gol i shënuar nga Kevin Strootman në gjysmën e parë (29) dhe realizimi i Luuk de Jong në minutat shtesë në fund të takimit, bëri që Holanda të fitojë tre pikë të reja.
Njeriu tragjik i mbrëmjes ishte Perparim Hetemaj, i cili u përjashtua me dy kartonë të verdhë (60), ndërsa gjatë kohës sa luajti ishte rreziku kryesor i Finlandës.
Pas kësaj fitoreje, Holanda grumbullon 24 pikë dhe siguron kualifikimin në Euro 2012.
Po ashtu edhe përfaqësuesja e Italisë e ka siguruar kualifikimin për në Kampionatin Evropian të futbollit pas fitores së vështirë në Firence kundër Sllovenisë.
Azzurët ishin dominues gjatë gjithë takimit duke krijuar raste të shumta, sidomos përmes yllit të Milanit, Antonio Cassano, megjithatë nuk arritën ta tundnin rrjetin deri në minutat e vona.
Ishte pikërisht zëvendësuesi i Cassanos, Giampaolo Pazzini lojtari cili ishte heroi i mbrëmjes, pasi që pesë minuta pa përfunduar takimi shënoi golin me vlerën tre pikë.
Me pikët e reja, Italia siguron paraprakisht pozitën e parë në Grupin C dhe kualifikohet për fazat finale të Euro 2012.