Sneijder jashtë edhe me Palermon
San Siro, 1 dhjetor - Wesley Sneijder nuk do të jetë as në fushë dhe as në stol në sfidën e së dielës ku Interi do të presë në San Siro skuadrën e Palermos.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga klubi zikaltër thuhet se fantazisti holandez nuk është në gjendjen më të mirë fizike për tu aktivizuar, ndaj trajneri Stramacioni nuk e ka përfshirë as në listën e rezervave.
Por sipas mediave sportive italiane, Sneijder është lënë jashtë për krisjen e madhe mes palëve. Të hënën, lojtari dhe agjenti i tij pritet të takohen me drejtuesit e klubit për të diskutuar mbi mundësinë e rishikimit të kontratës që skadon në 2015-ën.
Sipas kësaj kontrate, Sneijder përfiton 6 milion euro në sezon, plus bonuset. Përçarja nisi në muajin shtator kur Interi, nisi rishqyrtimin e pagave të futbollistëve nisur nga situata financiare në klub.
Sneijder refuzoi të rishqyrtojë kontratën e tij dhe kërkon respektimin e saj, ndërsa klubi i ka vënë ultimatum, \"o të pranojë uljen e pagës, ose nuk do të aktivizohet në fushë\".