Sinan Bytyqi nënshkruan me Manchester Cityn
Prishtinë, 26 mars - Talenti shqiptar i futbollit, Sinan Bytyqi, sot pritet të nënshkruajë kontratë me gjigantin e futbollit anglez, Manchester City.
Lajmin e kanë raportuar mediat austriake, ndërsa atë e ka konfirmuar në një bisedë telefonike për Zëri edhe vet futbollisti i ri.
Skautët e këtij ekipi prej kohësh kanë përcjellë paraqitjet e djaloshit prizrenas te skuadra austriake, Admira Wacker FC dhe me kombëtaren e të rinjve të Austrisë (U-17).
17-vjeçari në fund të nëntorit të vitit të kaluar kishte kaluar disa testime të suksesshme në qendrën stërvitore të ekipit të Cityt.
Paraqitja e tij e mirë kishte bërë që zyrtarët e klubit ti bëjnë atij një ofertë duke i ofruar kontratë.
Ai luan në rolin e mesfushorit qendror ofansivë, apo i ashtuquajturi pas dy sulmuesve, tip i futbollistit që shumë kërkohet në tregun evropian, sidomos nga skuadrat e mëdha.
Ëndrra po më bëhet realitet, tha në fillim të bisedës, Bytyqi.
Të hënën (sot) duhet të nënshkruaj kontratë me ekipin e Cityt. Jam shumë i entuziazmuar për këtë, tha ai. Futbollisti dallohet për teknik të mirë, ndonëse ka gjatësi (185 cm).
Bytyqi i lindur në Prizren, por i emigruar në Austri është formuar si futbollist në këtë vend. Ai filloi me këtë sport te skuadra Kerntern FC, për të kaluar më pastaj te ekipi i Austria Kerntern (ish-skuadra e Ardian Koznikut). Në stinorin 2009/10, ai u angazhua nga skuadra e Admira Wacker.
Sipas medieve austriake, klubi i Admiras do të përfitojë rreth 180.000 euro dëmshpërblim për futbollistin e ri, për edukimin e tij, ndonëse skuadra kishte dashur të përfitonte shumë më tepër.
Më herët nga futbolli austriak drejt një skuadre të njohur angleze ishte larguar tashmë i ndjeri, Besian Idrizaj, i cili në verë të vitit 2005 u transferua nga LASK Linz tek Liverpool.
Më herët pjesë e Cityt ka qenë edhe shqiptari i përfaqësues së Zvicrës, Frederik Veseli dhe i riu, Bersant Celina. Veseli tashmë ka lënë Cityn, duke kaluar në radhët e rivalit, Manchester United.
Mbetet të shihet nëse Bytyqi do të jetë në gjendje të përballojë konkurrencën e madhe për të arritur tek ekipi i parë të Cityt, ku luajnë yjet e botës, apo do të jetë edhe një nga talentet që do të shuhen, duke u huazuar te skuadra tjera në futbollin anglez, pata se të kthehet në Austri.