Shqipëria humb ndeshjen e parë në Euro 2016
Paris, 11 qershor - Shqipëria është mposhtur me rezultat 0-1 kundër Zvicrës në ndeshjen debutuese në Euro 2016.
Një aksion i mirë në fillim të pjesës së parë nga zviceranët i kushtoi skuadrës së Gianni de Biasit.
Ashtu si në ndeshjet miqësore, Shqipëria e nisi e përgjumur edhe ndeshjen debutuese në Kampionatin Europian 2016.
Zvicra siguroi epërsinë qysh në minutën e 5′ të ndeshjes dhe mbrojtësi i Zvicrës, Fabian Schar realizoi me kokë golin që i dha fitoren skuadrës së tij.
Ndërkohë kuqezinjtë patën rastin për të shënuar nga Armando Sadiku në minutën e 30′ të ndeshjes, por portieri zviceran Soomer shpëtoi nga barazimi skuadrën e tij.
Shpresat e tifozëve kuqezinj pësuan edhe një tjetër rënie pas ndëshkimit me karton të kuq të kapitenit Lorik Cana. Nëntë minuta pa përfunduar pjesa e parë, skuadra e Gianni de Biasit mbeti me dhjetë lojtarë të fushë.
Humbjen ndaj Zvicrës trajneri Gianni De Biasi ia faturon emocioneve. Ai vlerësoi paraqitjen e grupit, sidomos kur ndodhej në disavantazh numerik.
Por pavarësisht gjithë këtyre, De Biasi tha se skuadra nuk shfaqi të gjithë potencialin dhe cilësitë që ka.
Ndërsa, debutimi i Shqipërisë në finalet e një europiani u pasqyrua gjerësisht nga mediet botërore dhe emëruesi i gjithë artikujve ishte një; heroikë!