Shënohet Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe
Prishtinë, 5 prill - Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe më 6 prill shërben si festë vjetore që thekson fuqinë e sportit për të nxitur ndryshime shoqërore, zhvillimin e komunitetit dhe për të nxitur paqen dhe mirëkuptimin.
Duke shënuar këtë ditë, më 5 prill, UN Women dhe Federata e Futbollit të Kosovës organizuan ngjarjen "Sporti për Paqe", me 50 vajza dhe djem nga komuna dhe komunitete të ndryshme në Kosovë, duke demonstruar se si sport shërben si mjet i fuqishëm për të forcuar lidhjet shoqërore, dhe për të promovuar idealet e paqes, tolerancës, solidaritetit dhe mirëkuptimit.
Si pjesë e ngjarjes, vajzat dhe djemtë u ndanë në një grup ekipesh, dhe filluan pregaditjet para se të bëheshin të gjithë së bashku për ndeshjen e ditës.
Qëllimi i ngjarjes sportive me vajzat dhe djemtë nga komunitete të ndryshme ishte që të shfaqë dhe të njohë potencialin e sportit për të kontribuar në ndryshimet shoqërore dhe zhvillimin njerëzor duke promovuar tolerancën dhe solidaritetin midis pjesëmarrësve por edhe mes spektatorëve.
"Sportet nuk njohin kufij - sporti është gjuhë universale e bashkëpunimit dhe solidaritetit e bazuar në vlerat thelbësore të punës në grup, ato të drejtësisë, respektit dhe tolerancës. Ne dëshmojmë çdo ditë se si sportet kanë fuqinë për të ndryshuar pozitivisht jetën - duke sjellë bashkë njerëz nga gjini, fe, moshë, etni dhe gjuhë të ndryshme."
"Sporti ka një potencial unik që është njohur brenda Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Me anë të sportit, të rinjtë në Kosovë mund të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të realizojnë ëndrrat e tyre!", tha Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillimi e Kombeve të Bashkuara .
Përveç aftësisë për të bashkuar njerëzit, sporti gjithashtu shërben si një mjet për të avancuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, duke mbështetur zhvillimin e aftësive udhëheqëse, kapërcimin e paragjykimeve, sfidat që kufizojnë normat gjinore dhe përmirësimin e shëndetit, jo vetëm në fushën e sportit, por edhe në fusha të tjera të shoqërisë.
Shefja e Zyrës së UN Women në Kosove, Vlora Nushi, thekson se "sportet kanë fuqinë për të transformuar jetën, duke formuar qëndrime ndaj aftësive të grave si udhëheqëse dhe vendimmarrëse" duke shtuar se "përvetësimi i aftësive të vlefshme në menaxhim, negocim, zgjidhje të konflikteve dhe marrje të vendimeve përmes sportit fuqizon gratë dhe vajzat për t'u bërë udhëheqëse në të gjitha fushat e shoqërisë dhe jetës."
"Futbolli dhe sporti në përgjithësi kanë një rëndësi vendimtare për zhvillim, si në nivel personal, ashtu edhe në nivel lokal, qytet dhe shtet. Investimi në sport është shumë i rëndësishëm ", tha Bekim Rexhepi, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ndërsa, duke respektuar edhe temën e kësaj dite, Fitim Rexha, Drejtor për Sport në kuadër të Komunës së Prishtinës tha se "Sportet në vetvete do të thotë zhvillim, dhe mjetet sportive do të çojnë drejt paqes".
Gjatë ditës së mbushur me një sërë aktivitetesh të lidhura me futbollin, do të prodhohet një video që do të shpërndahet më 6 prill - Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe, duke përfshirë mesazhet e përfaqësuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës, Koordinatores për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UN Women dhe pjesëmarrësve.
Kjo ngjarje organizohet në kuadër të projektit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara për Rininë për Paqe, mbështetur nga Fondi për Ndërtimin e Paqes.