Shaqiri shënon golin e tij të parë për Bajernin
Munhen, 15 korrik - Mbetet e hapur nëse loja e tij mjafton për 11-shen e parë, shkruan gazeta Bild pas ndeshjes ku Shaqiri shënoi gol.
Shtypi gjerman dhe zviceran e ndjek Shaqirin, respektivisht transferin më të shtrenjtë të vitit në Gjermani hap pas hapi. Kështu, në gazetat e të shtunës u regjistrua dhe u përshkrua gjerësisht goli i parë që Shaq e shënoi për FC Bajernin. Goli, u shënua në një ndeshje testuese kundër klubit të ligës regjionale Ismaning, ku Bajerni fitoi me lehtësi 4:0.
Por, me gjithë faktin se në titujt e shkrimeve potencohet se Shaqiri ka shënuar gol, në vazhdim të tekstit të gazetës Bild, xhuxhit magjik nuk i shkruhet mirë. Mbetet e hapur nëse loja e tij mjafton për 11-shen e parë, shkruan gazeta jo shumë e bindur me potencialin e Shaqirit.
Por 20 vjeçari i ka edhe disa javë në dispozicion për të bindur trajnerin Heynckes për kualitetet e veta. Shaqiri në ndeshjen kundër Ismaningut ka luajtur në njëmbëdhjetëshen e parë dhe ka filluar si sulmues. Mirëpo, golin e tij të parë si bajeras ai e ka shënuar pasi ka ndërruar anën, kur filloi të luante si lojtar mesfushor. Goli i Shaqiri, i shënuar në minutën e 86, e ka ngritur rezultatin në 3:0.