Shala dhe Saraçini biseduan rreth hendbollit kosovar
Prishtinë, 4 mars - Në kuadër të takimeve me federatat e ndryshme të Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka zhvilluar sot një takim pune me Eugen Saraçinin, kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës, me të cilin bisedoi rreth synimeve që ka FHK-ja këtë vit, me sfidat dhe programin e paraparë.
Kryetari Federatës së Hendbollit të Kosovës, Saraçini, e vlerësoi punën dhe bashkëpunimin me ministrin Shala, meqë sipas tij, ministri me angazhimin e tij, ka ndikuar dukshëm në mbarëvajtjen e punëve dhe aktiviteteve sporteve të FHK-së.
Shala dhe Saraçini vlerësuan se ky do të jetë i rëndësishëm për ngritjen cilësore të hendbollit kosovar, meqë FHK-ja është pranuar në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit dhe është pjesë e hendbollit ndërkombëtar.
Ministri Shala u shpreh se pas licencimit të federatave, sipas praktikave dhe standardeve moderne, do të fillohet me procesin e nënshkrimit të memorandumeve me federatat e sportit, për të krijuar kështu mundësi dhe lehtësira, që ato të veprojnë me efikasitet dhe sa më të pavarura.
Ministri Shala konfirmoi mbështetjen e ministrisë për hendbollin kosovar; avancimin e tij në planin e brendshëm dhe afirmimin e tij në planin ndërkombëtar.