Sfida Bajern - Mançester
Bajern, 21 mars - Sfida Bajern-Mançester, cilësohet si përballja më e fortë e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, prej historisë që kanë dy klubet.
Është një short i vështirë, por mjaft interesant, deklaroi Karl-Hainc Rumenige, presidenti i gjermanëve.
Mançesteri është një prej skuadrave më të forta në qarkullim, ata cilësohen si favoritë, por kjo është pjesë e lojës: të japësh maksimumin për të mundur favoritët. Nëse dëshirojmë të kualifikohemi duhet të japim më të mirën, ndoshta edhe më tepër.
Ndërkohë, edhe Sër Aleks Ferguson e ka vlerësuar kundërshtarin e ardhshëm në Champions.
Trajneri i Junajtid deklaroi: Historia e ndeshjeve të mëparshme tregon se na pret një përballje e vështirë. Mendoj se do të krijohet një atmosferë e jashtëzakonshme. Shpresoj ti kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, në këtë mënyrë do të kemi shanse të mira për tu kualifikuar.