Sergio Ramos mendon largimin
Madrid, 21 shtatore - Lënia në stol e Sergio Ramos në takimin me Manchester City-n, që sipas trajnerit Jose Mourinho ndodhi për arsye teknike, ka nxitur spekulimet e mediave spanjolle, kryesisht të atyre pro Barcelonës, mbi marrëdhëniet e tensionuara mes të dyve dhe arsyeve të vendimit të trajnerit portugez për të mbajtur qëndrim ndaj mbrojtësit.
\"El Mundo Deportivo\", pasi i mëshon faktit që Ramos ëshhtë stërvitur i vetmuar një ditë pas fitores se \"Los Blancos\" në Champions League, ndonëse futbollistët që luajtën ndaj Sitit ishin lënë pushim nga Mourinho, shkruan se pakënaqësia e mbrojtësit 26-vjeçar ka arritur deri në atë pikë sa po mendon largimin nga Real Madrid.
\"Ftohja\" mes tyre nisi për shkak të kritikave të ashpra të trajnerit portugez ndaj skuadrës së tij pas humbjes në kampionat me Sevillan, që u pasua nga kundërpërgjigjja e Ramosit që u shpreh se: \"Te Reali fitojnë dhe humbasinn të gjithë\".
Mirëpo këto fjalë nuk i kanë pëlqyer aspak \"Special One\", i cili nuk hezitoi për ta bërë përgjegjës mbrojtësin për golin e pësuar ndaj andaluzianëve.
Gazeta katalanase zbulon edhe mekanizmat që përdor Mourinho për të fajësuar futbollistët e tij. Në pushimin mes pjesëve dhe pas çdo ndeshjeje, portugezi nxjerr pamjet filmike dhe fotografi që vërtetojnë gabimet e lojtarëve të tij.
Në një situatë të tillë portugezi ka akuzuar Ramosin se nuk e ka mbuluar mirë zonën e tij, duke e lejuar Trovcovskin që të shënojë. Reagimi i mbrojtësit ka qenë menjëhershëm, duke mos e pranuar fajin në sy të lojtarëve të tjerë, cka solli më vonë ndëshkimin me mospërfshirjen në formacionin titullar ndaj Manchester City-t.
Në këto kushte, situata po bëhet gjithnjë e më tepër e padurueshme për Sergio Ramos, që me sa duket sheh si rrugë shpëtimi largimin nga Santiago Bernabeu.